Kryetari i Partisë Demokratike, Memli Krasniqi, ka përkujtuar Protestën studentore të vitit 1997 e cila ishte shndërruar në protestë gjithë popullore, përcjell InLajmi.
Krasniqi tha se gjatë kësaj proteste studentët nën organizimin e UPSUP shfaqeshin si kurrë më parë të vendosur me një zë kundër shtypjes së Millosheviçit.
Gjithashtu ai tha se ngritja e mijëra qytetarëve po atë ditë para 25 vitesh, dërgoi sinjalin e qartë tek secili se liria po zinte vend në zemrën e çdo atdhetari.
Postimi i plotë i tij:
Protesta studentore e një tetorit të vitit 1997, e cila u shndërrua në protestë gjithëpopullore, lëkundi themelet e Jugosllavisë së atëhershme.
Në ballë të kësaj proteste të madhe studentore, para 25 vitesh, do të gjendej Rektori i Universitetit të Prishtinës, Prof. Ejup Statovci, dhe personeli akademik, që bashkë me studentët e nën organizimin e UPSUP, shfaqeshin si kurrë më parë, të bashkuar, të vendosur dhe me një zë kundër shtypjes dhe regjimit autoritar të Millosheviçit.
Ngritja e mijëra qytetarëve atë ditë, dërgoi sinjalin e qartë tek secili se liria po zinte vend në zemrën e çdo atdhetari, kundër çdo denigrimi që i bëhej popullit të Kosovës.
Këmbana që zgjoi vetëdijen liridashëse edhe në Prishtinë me një tetor, bëri që shumë studentë e studente të kapnin armët dhe t’i bashkoheshin radhëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në shërbim të idealit të çlirimit.
Nderim i përjetshëm të gjithë kontribuuesve për lirinë e Kosovës! /InLajmi/