Kryeministri i vendit, Albin Kurti, në 25 vjetorin e protestave studentore dhe në nderim të veprës së profesorit Ejup Statovci, ka bërë homazhe para varrit të tij, raporton InLajmi.
Në kujtim të protestës studentore paqësore të 1 tetorit 1997, Kurti së bashku me familjarët e profesorit si dhe pjesëmarrësit e tjerë të kësaj proteste, nderuan ish rektorin e Universitetit të Prishtinës, drejtues i universitetit të vetorganizuar shqiptar dhe intelektual që priu në protestat e 1997-s,
Sipas tij, Statovci ishte edhe trim edhe i urtë, edhe akademik edhe intelektual, figurë e jashtëzakonshme në kohën e duhur.
Kryeministri më tej shtoi se Statovcin e kujtojnë me mall duke shtuar se Kosova është me fat që pati një njeri të tillë.
“Profesori në këtë tetor do të bëhej 82 vjeç, dekadat e jetës së tij ja kanë vlejtur për të gjithë. Ai ishte edhe trim edhe i urtë, edhe akademik edhe intelektual, figurë e jashtëzakonshme në kohën e duhur”.
Bashkëshortja e ish-rektorit, Drita Halimi-Statovci, edhe pse tha që e ka të vështirë të flas, para të pranishmëve tregoi për momente kur bashkëshorti i saj i fliste për protestat e studentët.
Ajo më tej ka shtuar se profesori i kishte thënë se do t’i mbrojë studentët.
“Në këto raste e kam të vështirë të flas, faleminderit veç mundem me thënë për respektin që i bëni”.
Bujar Dugolli, që në atë kohë iu printe protestave bashkë me Statovcin e quajti atë sinonim të lirisë e pavarësisë
“Njeriu që ushte pranë studentëve, njeriun që ishte rektor. Dhimbja është e madhe për të gjithë ne që punuam me të. Ai ishte sinonim i lirisë dhe pavarësisë”.
Lëvizja Studentore e atëhershme organizoi protestat që qëllim kishin kundërshtimin e pushtimit të Kosovës nga Serbia dhe kthimin e studentëve në objektet universitare./InLajmi/