Kryeministrja e Britanisë së Madhe, Liz Truss ka reaguar ndaj referendumeve që Rusia ka zhvilluar në rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia të Ukrainës dhe ka njoftuar se këto zona nuk do t’i konsiderojnë kurrë si asgjë tjetër përveç se territore të Ukrainës.
Sipas një deklarate nga kryeministria britanike, Truss ka thënë se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin ka shkelur edhe një herë ligjin ndërkombëtar duke injoruar hapur jetën e popullit të Ukrainës për të cilin ai pretendon se e përfaqëson.
“Britania nuk do të injorojë kurrë vullnetin sovran të këtyre njerëzve dhe rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia nuk do t‘i konsiderojnë kurrë si asgjë tjetër përveç se territore të Ukrainës”, tha Truss.
Ajo nënvizoi se Putin nuk mund të lejohet të ndryshojë kufijtë ndërkombëtarë me forcë. “Do të sigurojmë që (Putin) të humbë këtë luftë të paligjshme”, tha kryeministrja britanike.
Referendumet e mbajtura për bashkim me Rusinë nga administratat separatiste në Ukrainë
Më 23-27 shtator, në të ashtuquajturat Republikat Popullore Donetsk dhe Luhansk që janë nën kontrollin e separatistëve pro-rusë në Ukrainë dhe në rajonet Kherson dhe Zaporizhzhia nën kontrollin e ushtrisë ruse, u mbajtën referendume për bashkim me Rusinë.
Sipas të dhënave jo-zyrtare nga të ashtuquajturat komisione zgjedhore në rajone thuhet se nga referendumet ka dalë vendimi për “bashkim me Rusinë”.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka njoftuar se sot në Pallatin e Kremlinit do të mbahet një ceremoni nënshkrimi për bashkimin e rajoneve të reja me Rusinë dhe se presidenti rus Putin do të mbajë një fjalim gjithëpërfshirës, transmeton Anadolu Agency (AA).
Bashkimi Evropian ka reaguar ashpër kundër mbajtjes së referendumit dhe kundër Rusisë ka propozuar paketën e 8-të të sanksioneve që përfshijnë zbatimin e çmimit tavan për naftën ruse dhe ndalesa të tregtisë.