Greva e mësimdhënësve po vazhdon edhe këtë të hënë duke hyrë kështu në javën e 5 që kur nxënësit vazhdojnë të mbesin jashtë bankave shkollore, ndërsa nuk dihet edhe kur do të marrë fund kjo ‘kryeneçësi”, të themi 2 palëshe, shkruan InLajmi.
Pavarësisht thirrjeve të institucioneve dhe disa Këshillave të Prindërve dhe protestave të tyre për të filluar procesi mësimor ende nuk ka reflektim nga asnjëra palë që përtej “inateve” të ulen e të arrijnë kompromis për zgjidhje e ndërprerje të grevës.
Se greva në arsim mund të vazhdojë në të pakufishmen, e pohojnë edhe nga sindikata e arsimit të cilët thonë për Inlajmin se nuk do të ketë ndërprerje të grevës pa realizimin e kërkesave të sindikatës.
Pra greva duket se do të vazhdojë deri në ‘zbutjen” e deklaratave të Kryeministrit Kurti dhe arritjen e një kompromisi këtë për InLajmin e konfirmon edhe Kryesuesi i Këshillit Grevist Rrahman Jashari i cili për gjithë këto humbje të nxënësve në mësim fajtore e lë Qeverinë dhe shefin e saj Albin Kurtin i cili sipas tij është “kryeneçi” dhe nuk ofron dialog e zgjidhje ndaj kërkesave të grevistëve.
“Greva në arsim po ndodh për fajin e kryeministrit Albin Kurtit i cili për 9 muaj nuk i’u është përgjigjur lutjeve tona për takim dhe e kemi filluar grevën me 25 gusht me qëllimin e vetëm që para se të fillojë viti i ri shkollor të reflektojë qeveria, kurse ajo edhe pas takimit të vetëm që kishim me shefin e Qeverisë ne si Këshill Grevist u pa se nuk e ka qëllim të ofroj zgjidhje”, tha Jasharaj për Gazetën InLajmi.
Jasharaj, thotë se nuk do të ketë ‘tolerancë’ nga sindikatat tani kur kryeministri Kurti me deklaratat e tij krijon edhe më shumë tensione.
“Deklarata e së dielës e kryeministrit Kurti, i cili akuzon se grevistët janë të njërës apo partisë tjetër opozitare, vetëm sa e ka tensionuar edhe më shumë situatën”, ka thënë Jasharaj.
I pyetur nga Inlajmi se a është vazhdimi i grevës rezultat i “kryeneçësisë së dyanshme, Jasharaj thotë se “kryeneçe” është Qeveri e cila nuk ofron zgjidhje, por sindikalistët.
“Nuk pajtohem me deklarimet se greva po vazhdon për shkak të ‘kryeneçësive” të 2 palëve, sepse këtu “kryeneçe” kemi vetëm një palë e ajo është Qeveria dhe udhëheqësi i saj Kurti, që nuk ka ofruar asnjë version, asnjë ofertë që do t’ia prezantonim anëtarësisë, sepse greva po mbahet me kërkesën dhe vullnetin e anëtarësisë së SBASHK-ut, po në këtë rast edhe të shërbyeseve civil”, u shpreh Jasharaj.
Jasharaj nuk ka dhënë afat se kur do të përfundojë greva, sepse tha ai se për vazhdimin apo ndërprerjen e grevës vendimin e merr anëtarësia e sindikatës së arsimit.
Kryesuesi i Këshillit Grevistë, thotë se greva do të vazhdojë deri në realizimin e kërkesave, ndërsa nuk përmend formë tjetër radikale për të realizuar kërkesat përveç grevës.
Sipas tij, format tjera sikur që janë protestat për realizimin e kërkesave, nuk janë vlerësuar efektive, përkundrazi tha ai mund të jenë të dëmshme sepse aty mund të infiltroheshin individë apo edhe aktivistë të subjekteve të caktuara e që mund të devijojnë nga qëllimi i ynë që janë realizimi i kërkesave tona tashmë të njohura. /InLajmi/ Shkurta Gajtani/