Institucionet publike janë të obliguara që t’i lejojnë palët e interesuara në Kosovë të kenë qasje në dokumentet zyrtare.
Për t’u afirmuar kjo e drejtë kushtetuese, Agjencia për Informim dhe Privatësi, nga data 26 shtator deri më 30 shtator, do ta shënojë Javën e Informimit, me moton “Tash edhe më lehtë”.
Komisionarja e kësaj Agjencie, Krenare Sogojeva-Dermaku, tha se këtë të hënë do të kenë konferencë me kryetarët e komunave, të martën me gjyqtarët dhe prokurorët, të mërkurën me gazetarë dhe shoqëri civile, ndërsa të enjten me sekretarë të ministrive dhe të premten me kryetarët e Bordeve dhe kryeshefat e ndërmarrjeve publike.
Sogojeva-Dermaku, në Sytë 7 në Klan Kosova tregoi se si agjenci janë të angazhuar që të rrisin transparencën e Institucioneve në Kosovë.
E njëjta, madje bëri me dije se parashtrojnë edhe gjoba, kur institucionet nuk janë transparentë sa u përket kërkesave të qytetarëve, gazetarëve ose palëve të tjera.
Udhëheqësja e Agjencisë për Informim dhe Privatësi tha se kanë vendosur gjobë prej 13 mijë eurove ndaj Ministrisë së Punëve të Jashtme, pasi e njëjta s’ka qenë transparente sa i përket njoftimit për shpenzimin e parasë publike.