Albin Kurti do të vazhdoj të jetë kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, edhe për një mandat tjetër katër vjeçar.
Në zgjedhjet e brendshme që mbajti dje (25 shtator 2022) ky subjekt, Kurti arriti të marrë 98,60% të votave.
Kundër tij votuan 0,89%, ndërsa 0,51% abstenuan. Kështu është bërë e ditur në një njoftim të Lëvizjes Vetëvendosje.
“Përgjatë javëve në vijim, procesi do të vazhdojë me zgjedhjen e kryesive të qendrave, e do të përfundojë në fund të muajit Tetor me zgjedhjen e kryesisë së LVV në mbledhjen konstituive të Këshillit të Përgjithshëm. Në këtë proces të gjatë janë strukturuar gjithsej 485 pika në 29 qendra të Lëvizjes Vetëvendosje. Në këto zgjedhje për herë të parë u votua edhe për strukturat e organizatës Gratë për Vetëvendosje dhe Rinia për Vetëvendosje”, thuhet në njoftim.
Albulena Haxhiu do të jetë kryetare e Forumit të Gruas, ndërkaq Behar Jashari i të rinjve të Vetëvendosjes.
Gjatë ditës së djeshme, Kurti ka falënderuar të gjithë anëtarët e partisë së tij për punën që kanë bërë deri më sot.
“Sot është ditë e demokracisë në LVV-në, për shkak se kemi zgjedhjet e brendshme dhe secili anëtarë i subjektit tonë politikë mund dhe duhet të dëgjohet. Në 46 qendra apo degë të lëvizjes sonë mbahen zgjedhjet për kryetarë të lëvizjes, kryetare të strukturës së re “gratë për VV”, për kryetarët e strukturës të re, rinia për VV, por gjithashtu edhe për nivelet e qendrave apo të degëve në 26 sosh, mbahen zgjedhjet për kryetar të qendrave”, u shpreh të dielën, Kurti.