Mbajtja në paraburgim për më tepër se 22 muaj e krerëve të UÇK-së është komentuar si shkelje e të drejtave të njeriut. As pas më shumë se 2 vjetëve Specialja s’i ka përballur Thaçin dhe të tjerët me trupin gjykues. Dhomat e Specializuara në një përgjigje për Gazetën Express thonë se s’ka datë të saktë se kur do të fillojë gjykimi për ish-anëtarët e Shtabit të Përgjithshëm, megjithatë jep shenja se dosja e ish-zëdhënësit të UÇK-së Jakup Krasniqi mund të jetë gati për t’u transferuar te trupi gjykues deri në fund të këtij viti.
Kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova, para 2 ditësh ka thënë se pret që gjykimi ndaj Thaçit dhe të tjerëve të nisë në fillim të 2023-ës.
“Është e pritshme që në një rast të tillë që deri në fund të këtij viti dhe më së voni në fillim të vitit të ardhshëm do të fillohet procedura sepse gjyqtarët janë marrë me shqyrtimin e gjithë dokumenteve të rëndësishme të rasti, Gjyqtari i procedurës paraprake është duke punuar në çdo moment, duke angazhuar edhe festat e pushimit, bashkë me një ekip shumë të përkushtuar por rasti është shumë voluminoz, këtë nuk po e themi arsyetim por ky është fakt dhe këtë duhet ta komunikojmë. Gjyqtarët janë shumë kërkues, kërkojnë shumë që të njohin çdo aspekt të materialeve, të provave, dhe respektojnë në mënyrë të rreptë çdo afat kohor”, ka thënë ajo.
Dhomat e Specializuara lidhur me afatet kohore se kur pritet që ish-eprorët e UÇK-së të dalin para trupit gjykues.
Në përgjigjen e tyre thonë se gjyqtari i procedurës paraprake s’ka caktuar afate kohore, megjithatë dhanë shenja se dosja e lëndës mund të jetë gati për Jakup Krasniqin deri në fund të këtij viti.
“Përderisa gjyqtari i procedurës paraprake ka caktuar afate të caktuara për t’u siguruar që të gjitha palët të përgatiten shpejt për gjykim, deri më tani ai nuk ka caktuar një datë të saktë se kur synon t’ia transferojë dosjen e lëndës trupit gjykues. Vetëm pasi ta bëjë këtë do të dimë saktësisht se kur mund të fillojë gjyqi. Megjithatë, në vendimin e tij të fundit për rishikimin e paraburgimit lidhur me z. Krasniqi, gjyqtari i procedurës paraprake tha se parashikonte që dosja e lëndës mund të jetë gati për t’iu transmetuar trupit gjykues deri në fund të vitit”, thuhet në përgjigjen e Speciales.
Të pyetur se si arsyetohet mbajtja në paraburgim për më shumë se 22 muaj e Thaçit dhe të tjerëve, Specialja thotë se shqyrtimi i paraburgimit të tyre bëhet çdo dy muaj dhe se gjyqtarët e përcaktojnë nëse për të paraburgosurit ekziston mundësia e ikjes, frikësimit të dëshmitarëve ose manipulimit të provave.
“Në vendimet e tyre për shqyrtimin e paraburgimit, i cili bëhet çdo 2 muaj, bazuar në ligj, gjyqtari(ët) përcaktojnë nëse ka arsye të artikulueshme për të besuar se ekziston: një) rrezik ikje; ose 2) rreziku që i pandehuri të pengojë mbarëvajtjen e procedurës penale për shembull duke frikësuar dëshmitarët ose duke manipuluar provat; ose 3) ka indikacione se ai/ajo do të përsërisë veprën penale, do të kryejë një tentativë krimi ose do të kryejë një vepër tjetër. Në vendimin e tyre, gjyqtarët japin një arsyetim të detajuar. Nëse një i akuzuar nuk pajtohet me vendimin e gjyqtarit, ai ka të drejtë të apelojë vendimin, që do të thotë se një kolegj tjetër gjyqtarësh, një dhomë e Apelit, do ta shqyrtojë vendimin dhe do ta konfirmojë ose refuzojë atë tërësisht ose pjesërisht”, thuhet tutje.
Duke përmendur vazhdimin e paraburgimit për ish-presidentin Thaçi dhe ish-kryekuvendarin Veseli, Dhomat e Specializuara thonë se gjyqtari i procedurës paraprake ka shpjeguar për rreziqet që Thaçi e Veseli mund të kenë në ndërhyrjen e procedurës nëse ndodhen jashtë objektit të paraburgimit.
“Në vendimet e tij të fundit për vazhdimin e paraburgimit për Veseli dhe Thaçi, gjyqtari i procedurës paraprake ka shpjeguar se pse ka vendosur që rreziqet e ndërhyrjes në procedurë apo kryerjes së krimeve shtesë nuk mund të zbuten jashtë objekteve të paraburgimit të KSK-së, dhe pse kohëzgjatja e paraburgimit nuk është joproporcionale”, thuhet në përgjigjen e Speciales.
Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi, sipas aktakuzës së ngritur nga Dhomat e Specializuara më 26 tetor të vitit 2020, konsiderohen si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Ata u arrestuan më 5 nëntor 2020 dhe nga ajo ditë po qëndrojnë në paraburgim në Hagë.
Ata dyshohen për veprat penale që përbëjnë krime lufte: ndalim të paligjshëm ose arbitrar, trajtim mizor, torturë dhe vrasje të paligjshme dhe krime kundër njerëzimit: burgosje, akte të tjera çnjerëzore, zhdukje me forcë të personave dhe përndjekje.
Krimet pretendohet se janë kryer midis muajit mars të vitit 1998 dhe shtatorit të vitit pasues në disa lokacione në Kosovë dhe në veri të Shqipërisë.