Në prani të nxënësve nga Kosova, Shqipëria, Gjermania, Franca dhe Maqedonia e Veriut, dhe ligjërues nga e gjithë Evropa, Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, mori pjesë në hapjen e Kampit veror ndërkombëtar 2022.
“Ky kamp veror, për 83 të rinj nga pesë vende të ndryshme, është mundësuar sepse të gjithë ne që jemi sot këtu, e njohim dhe e çmojmë vlerën e një shoqërie të arsimuar mirë”, u shpreh kryeministri.
Kurti është shprehur se Qeveria ka rritur buxhetin për arsim për 12 %.
“Qeveria e Republikës së Kosovës ka rritur buxhetin për arsim për 12%. Ka bërë arsimin publik falas për nivelin baçelor dhe master. Ka ndarë mbi 3.000 bursa për studentët e dalluar për studime brenda dhe jashtë vendit. Për mbyllje të hendekut gjinor, janë ndarë 1.365 bursa për vajzat dhe gratë studente të fushave STEM. 106 bursa për nxitjen e vajzave për të ndjekur profile teknike dhe nxitjen e djemve për të ndjekur profile deficitare”, është shprehur Kurti, përcjell Klankosova.tv.
Duke uruar për organizimin e këtij kampi veror dhe duke u dëshiruar mbarësi, kryeministri e përmbylli fjalimin duke theksuar se dashuria për dijen dhe shkencën, do të thotë dashuri për njerëzimin dhe zhvillimin.