Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova ka kritikuar vendimin e Britanisë për të mos ftuar zyrtarët rusë për të marrë pjesë në funeralin e Mbretëreshës të hënën
“Ne e shohim këtë përpjekje britanike për të përdorur tragjedinë kombëtare, e cila ka prekur zemrat e miliona njerëzve në mbarë botën, për qëllime gjeopolitike për të larë hesapet me vendin tonë… si thellësisht të pamoralshme”, tha Zakharova, raporton BBC.
Marrëdhëniet diplomatike midis Mbretërisë së Bashkuar dhe Rusisë janë shembur që nga pushtimi i Ukrainës nga Rusia. Një zëdhënës i presidentit rus Vladimir Putin kishte thënë tashmë se lideri rus “nuk po e konsideronte” pjesëmarrjen në funeralin, transmeton Gazeta Express.
Në funeralin e Mbretëreshës nuk janë ftuar as përfaqësues nga Siria, Venezuela, Afganistani, Bjellorusia dhe Mianmari.