Presidenti serb Aleksandar Vuçiq tha se serbët nuk duhet të kenë turp për dallimet e tyre dhe se Republika Srpska gjithmonë mund të llogarisë në Serbinë, transmeton Inlajmi.
“Ne nuk duhet të kemi turp për dallimet tona. Pra, ne kemi shumë dallime politike, kemi dallime në besime, por duke respektuar ato dallime mund të krijojmë bashkim dhe unitet. Njerëzit e vunë re këtë, për këtë jemi të sigurt, por ne arritëm t’i kapërcejmë vështirësitë që kanë qenë në kohën e Millosheviqit, sanksionet, qëndrime, mendime të ndryshme, pra nuk kemi dallime në marrëdhëniet mes Serbisë dhe Republikës Srpska”, tha Vuçiq për TV BN, pas ceremonisë në Bjelinë me rastin e Ditës së Bashkimit Serb, Lirisë dhe Flamurit Kombëtar.
Ai shtoi se ka respekt dhe mirëkuptim për faktin se po flasim për të njëjtët njerëz që jetojnë në vende të ndryshme.
“Duhet të jemi afër dhe të ndihmojmë njëri-tjetrin. Jam i lumtur që Republika Srpska gjithmonë mund të llogarisë në Serbi. Edhe në Srpska duhet ta kuptojnë se sa shumë ju duam, qofshim nga Beogradi apo nga ndonjë pjesë e Serbisë”, shtoi Vuçiq, shkruan Euronews.rs.
Vuçiq theksoi se Serbia respekton dhe dëshiron paqen edhe me boshnjakët.
“Unë dua t’u them edhe boshnjakëve, se i respektojmë ata, ne duam të vazhdojmë të jetojmë në paqe. Ne duam të ndërtojmë, të lidhemi, të shohim se çfarë mund të bëjmë për të kapërcyer vështirësitë “, shtoi Vuçiq. /InLajmi/Sh.O./