Ekonomisti, Besnik Avdijaj ka thënë se Qeveria e Kosovës e cila udhëhiqet nga një parti me ideologji të majtë, nuk do të duhej të barrikadohej kundrejt kërkesës së sindikatave për ndarjen e 100 eurove.
Ai duke folur për ndarjen e mjeteve për kategori të ndryshme nga Qeveria e Kosovës, si ndihmë për përballimin e krizës ekonomike, tha se shpërndarja e buxhetit përmes skemave sociale nuk paraqet veprim të mirë në aspektin ekonomik të vendit.
Avdijaj në emisionin “Ditari” në Tëvë1, tha se Ligji i Pagave do të rregullojë deri në një masë çështjen e pagave për disa kategori.
“Ligji i Pagave, parasheh nivelizimin e të ardhurave dhe të ketë një ngritje modeste për disa kategori. Kostoja e miratimit të këtij ligji do të jetë e lartë dhe kjo ndoshta është njëra nga arsyet e zvarritjes”, tha ai.