Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu ka shpalosur gjetjet e inspektoratit të ministrisë që ajo drejton lidhur me hetimet në rastin e rrethanave të vdekjes së aktivisitit të Vetëvendosjes, Astrit Dehari, raporton InLajmi.
Astrit Dehari ka ndërruar jetë në rrethana ende të pa sqaruara , ndërsa lidhur me këtë rast, ministrja Haxhiu ka theksuar se që nga marrja e detyrës së ministres, në ministri kanë arritur informata të ndryshme lidhur me përfshirjen e personave përgjegjës për hetime.
Ministrja, Haxhiu ka theksuar se për të sqaruar zbatimin e procedurave brenda Shërbimit Korrektues, nëse zyrtarët përgjegjës kanë zbatuar përgjegjësitë e tyre në përputhje me ligjet, kam kërkuar inspektim , prandaj edhe do të shpalos raportin e inspektoratit.
Siç ka bërë të ditur ministrja Haxhiu, gjetjet e Inspektoratit janë disa duke filluar nga marrja dhe posedimi i kamerave nga SHKK.
“Marrja dhe posedimi i incizimeve të kamerave me aprovim të ish drejtorit të Qendrës së Paraburgimit në Prizren, Destan Zogaj tek zyrtarët Ylber Topalli, Burim Buleshkaj dhe anëtarë nga Komisioni i SHKK përben shkelje të legjislacionit penal dhe legjislacionin përkatës për mbrojtjen e të dhënave’, tha Haxhiu, duke shtuar se është e rëndësishme të theksohet se sipas Inspektoratit incizimet e kamerave të sigurisë nga kryeinspektori i MD dhe zyrtarët e SHKK, janë marrë para se ato t’i merrte policia, nga data 5 , kur ka ndodhur rasti dhe datat 6, 7 nëntor 2016”, ka sqaruar ministrja.
Sipas saj është e çuditshme se si zyrtarët korrektues dhe kryeinspektori i Ministrisë së Drejtësisë kanë marrë kamerat e sigurisë para organeve të ndjekjes.
Për më tepër ministrja Haxhiu ka theksuar se sipas legjislacionit në fuqi, në rast të ndonjë veprimi me elemente të natyrës penale, autoriteti kompetent për marrjen e incizimeve është policia.
Derisa ka dhënë detaje të tjera nga puna e inspektoratit, Haxhiu ka thënë se zyrtarët e institucionit, mund të kenë qasje në incizimet por assesi t’i marrin ato përmes USB dhe assesi para policisë.
Haxhiu ka kujtuar edhe 2 raportet, të Inspektoratit dhe atë të kryeinspektorit në vitin 2016, lidhur me rastin në fjalë, e të cilat thotë ministrja se janë 2 raporte, kontradiktore, njëra më 14.11.2016 dhe tjetra më datë 21.11.2016
“Në raportin e parë të kryeinspektorit, thuhet se po bëhet inspektim i jashtëzakonshme duke e cilësuar rastin si vetëvrasje, duke tejkaluar kështu kompetencat ligjore si kryeinspektorë ndërsa në raportin e datës 21.11.2016, bën sërish inspektim dhe shkruan me rastin e vdekjes së A.D”, tha Haxhiu, ndërsa bëri të ditur edhe emrat e hartimit të raportit të kryeinspektorit.
“Këto 2 raporte janë të nënshkruara nga kryeinspektori Ylber Topalli, ku raportin e datës 14 ky i fundit e mohon që është i shkruar nga ai dhe rrjedhimisht e konteston si të tillë. Dhe tani i takon organeve të ndjekjes që ta zbardhin nëse ky raport është i falsifikuar nëse po nga kush apo nëse kryeinspektori nuk po e thotë të vërtetën”, ka sqaruar Haxhiu.
Sipas, ministres Haxhiu Inspektorati ka trajtuar edhe shqiptimin e masave ndaj personave përgjegjës dhe transferet e tyre në qendrën e paraburgimit në Lipjan.
“Në vend të suspendimit të menjëhershëm të stafit përgjegjës në qendrën e paraburgimit në Prizren, ata kanë vazhduar të jenë në punë deri më datë 21 nëntor 2016 ku le hapësirë për manipulim të provave dhe dëshmive. Është po ashtu e çuditshme dhe e paprecedent që dëshmitari kryesor në rastin e A.D, Naser Makolli, është transferuar më datë 9 dhjetor në Lipjan ku paraprakisht ne qendrën e njëjtë ishin transferuar edhe oficerët më masën disiplinore të transferimit”, theksoi Haxhiu.
Derisa ka vazhduar me sqarimet, ministrja Haxhiu ka thënë se e gjithë kjo me fjalë të tjera po i bie që në qendrën në Lipjan janë transferuar edhe zyrtarët përgjegjës e po ashtu edhe dëshmitari kryesor Naser Makolli me ç’rast dëshmitari kryesor kishte ndërruar jetë po aty.
Haxhiu ka pyetur se e gjithë kjo a mund të një rastësi?!, ndërsa ka theksuar se raporti i inspektoratit adreson edhe deklaratat kontradiktore të zyrtarëve përgjegjës dhe çështje të tjera.
“Mbi bazën e këtij raporti konstatohen veprime kontradiktore, të paqarta dhe le dyshime të mëdha për manipulime të provave dhe deklaratave të akterëve të përfshirë në rast prandaj thërrasim prokurorinë që të ndërmarrin masa adekuate dhe cilësore për zbardhjen e së vërtetës në rastin Dehari”, theksoi Haxhiu, ndërsa shtoi se pas këtij raporti ne do t’i ndërmarrim 2 veprime konkrete.
“Ky raport me gjitha shkresat përcjellëse do të dërgohet tek kryeprokurori i shtetit. Do të dërgohet në organet përgjegjëse që kanë autorizime për shqiptimin e masave ndaj akterëve të përfshirë në rast”, tha Haxhiu. /InLajmi/

















