Kryesuesja e Komisionit të Grupit të Miqësisë Lituani-Ballkani Perëndimor i Parlamentit të Republikës së Lituanisë, Laima Andrikiene, ka kujtuar njohjen e pavarësisë së Kosovës qysh në muajt e parë nga Lituania, teksa ka premtuar mbështetje për shtetin më të ri në Ballkan edhe në proceset integruese, raporton InLajmi.
Andrikiene tha se vizita e saj në Kosovë është e para në cilësi të delegacionit dhe se është nderë për të të jetë në vendin tonë.
“Vizita jonë në Kosovë është e para në cilësi të delegacionit. Natyrisht është edhe nder që jemi këtu në Kosovë. Lituania e ka njohur pavarësinë e Kosovës në muajin maj të vitit 2008. Lituania i jep mbështetje përpjekjeve të Kosovës në forcimin e shtetësisë së saj”, tha Laima Andrikiene.
Gjithashtu ajo tha se Lituania e mbështet Kosovën për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës dhe në rrugën drejt integrimit në Bashkimin Evropian.
“Lituania mbështet Kosovën për tu bërë anëtare e Këshillit të Evropës. Lituania mbështet Kosovën në rrugën e integrimit drejt BE. Delegacioni inkurajon Kosovën në zbatimin e reformave thelbësore drejt BE-së”, tha ajo. /InLajmi/