Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka kujtuar 32 vjetorin e Kushtetutës së Kaçanikut, duke thënë se gra e burra e miratuan këtë Kushtetutë duke shënuar aktin e parë në krijimin e brezave të tërë për një shtet të pavarur, përcjell InLajmi.
Osmani tha se përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator të vitit 1990 i dolën zot vendit duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur.
Gjithashtu presidentja theksoi se teksa e kujtojmë këtë datë historike, duhet ti përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, për përkushtimin e tyre ndaj atdheut.
Postimi i plotë i tij:
32 vjet më parë, gra e burra përfaqësues, me guximin qytetar e vetëdije kombëtare, e miratuan Kushtetutën e Kaçanikut, e cila shënon aktin e parë në krijimin e rendit kushtetues të Kosovës dhe i fortifikon përpjekjet e brezave të tërë për shtet të pavarur.
Përfaqësuesit e atëhershëm të Kuvendit, më 7 shtator 1990 i dolën zot vendit dhe e përjetësuan në Kushtetutë vullnetin e qytetarëve të cilët i përfaqësonin, duke e vulosur përfundimisht përpjekjen për liri, demokraci e shtet të pavarur. Ata e sfiduan një shtet e një regjim të egër, duke i vënë themelet e palëkundura të Kosovës së pavarur.
Sot, 32 vjet më pas, teksa e kujtojmë këtë datë historike, ne i përulemi guximit të delegateve e delegatëve të atëhershëm të Kuvendit të Kosovës, përkushtimit të tyre ndaj atdheut dhe këmbënguljes për ta parë të jetësuar shtetin e tyre. Duke e miratuar Kushtetutën, ata e vendosën gurin e parë, themeltar, të shtetësisë sonë. Me të nisi krijimi i identitetit kushtetues e shtetëror të Republikës së Kosovës. Përjetësisht mirënjohës për këtë akt historik! /InLajmi/