Deputetja e LDK-së, Valentina Bunjaku-Rexhepi ka reaguar ndaj vendimit të fundit të Qeverisë së Kosovës për ndaljen e pagave të punëtorëve që ndodhen në grevë, përcjell InLajmi.
Bunjaku-Rexhepi thotë se ajo çfarë po bën kjo qeveri e ka bërë vetëm Qeveria e Serbisë, e cila ua kishte ndaluar pagat e punëtorëve pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në rast se nuk e pranonin shtetin e Serbisë, e sipas saj njësoj po vepron edhe qeveria Kurti me “hakmarrje” e “ndëshkime”.
Deputetja theksoi se as në kohë okupimi e as në kohë të përjashtimit nga çdo institucion, as në kohën e pasluftës kur kishte kaos, as në kohën e asnjë qeverie të pasluftës, nuk u ndalën pagat.
Ajo thotë se kjo qeveri duhet të bie duke shtuar se erdhi në emër të popullit dhe doli kundër tij.
Postimi i plotë i saj:
As në kohë okupimi, as në kohë të përjashtimit nga çdo institucion, as në kohën e pasluftës kur kishte kaos, as në kohën e asnjë qeverie të pasluftës, nuk u ndalën pagat, për asnjë arsye, e lëre më pse punëtorët protestuan ose bënë grevë, për paga më të dinjitetshme në kohë të inflacionit të lartë.
Atë çka bëri Qeveria Kurti, e bëri vetëm Qeveria e Serbisë, që ndaloi pagat e punëtorëve pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, në rast se nuk e pranonin shtetin e Serbisë! Njësoj sot, o e pranoni Qeverinë Kurti, o nuk merrni pagë! Nëse protestoni për rritje page, jo që nuk ka dialog social, por ka hakmarrje, ndëshkime! Kjo Qeveri duhet të bie. Erdhi në emër të popullit dhe kur mori pushtetin “krejt dhe drejt”, u bë kundër popullit! Erdhi me populizëm dhe doli kundër popullit! Mjerim.
E pabesueshme, e patolerueshme! Mësimdhënës, shërbyes civilë, infermierë, mjekë, bëhuni bashkë! Protestoni demokratikisht për sjelljen e Projektligjit për Pagat! Është e drejtë e juaja protesta! Është shkelje kushtetuese veprimi i Qeverisë Kurti! /InLajmi/