Ish-drejtor i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka folur në lidhje me dorëheqjen e Samedin Mehmetit nga pozita e drejtorit të përgjithshëm të policisë.
Ai ka thënë se kjo dorëheqje nuk ka të bëjë me rastin e fundit, pra atë të dhunimit të 11-vjeçares në Prishtinë.
“Unë kam pasur informata nga burime të ndryshme që drejtori do të shkarkohet disa ditë më herët, mund të them edhe që një javë më herët, mirëpo është shfrytëzuar ky rast si pretekst në mënyrë që drejtori i policisë të ofrojë dorëheqjen, por në fakt atij i është kërkuar dorëheqja sa më shpejtë që të jetë e mundur”, tha ai.
Ai tha se dorëheqja i është kërkuar për shkak të siç u shpreh ai keqmenaxhimit që ka bërë në Policinë e Kosovës.
“Ngjarja është shumë e rëndë, realishtë është njëra prej ngjarjeve më të rënda që ka ndodhur në Kosovë, ndoshta edhe që nga çlirimi e këtej, duke pasur parasysh veprën që është kryer. Për fat të mirë policia i ka arrestuar të dyshuarit, mirëpo nuk e di se a ka qenë vajza e mitur subjekt i hetimeve të policisë, a ka qenë ndonjëherë e lajmëruar për ndonjë rast në polici, nuk e di meqenëse nuk kam mundur t’i verifikoj, sepse gjendem jashtë shtetit, mirëpo prapë po e përsërisë që absolutisht nuk ka të bëjë asgjë dorëheqja e drejtoritë të policisë me këtë rast, por i është kërkuar dorëheqja për shkak të keqmenaxhimit që ka bërë në Policinë e Kosovës”, u shpreh ai.
Tutje, Qalaj përmes një lidhje direkte në “Edicionin Special” në Klan Kosova ka thënë se është mesazh i keq që njeriu i cili pritet të shkarkohet t’i ofrohet mundësia siç tha ai ta shfrytëzojë në mënyrën më të keqe të mundshme një rast shumë të rëndë.
“Ministri i Punëve të Brendshme i ka bërë një shërbim drejtorit të përgjithshëm duke e bindur që të jap dorëheqje, meqenëse ai e ka paralajmëruar që gjithsesi do të shkarkohet dhe unë mendoj që është një mesazh i keq që njeriu i cili pritet të shkarkohet t’i ofrohet mundësia ta shfrytëzojë në mënyrën më të keqe të mundshme një rast shumë të rëndë, gjoja se po jep dorëheqje për çështje morale”, u shpreh tutje ai.