Luigj Ndoi, anëtar i Komisionit Ndërkombëtar për Personat e Zhdukur thotë se nga rreth 5.000 persona që janë zhdukur nga lufta e fundit në Kosovë, deri më tash janë identifikuar 73%.
Ai këtë e ka cilësuar si një sukses të paprecedentë të të gjithë të angazhuarve në këtë proces, ndërsa theksoi se janë edhe mbi 1.617 persona të zhdukur.
“Gjatë këtyre viteve kanë kaluar periudhë e gjatë dhe akoma nuk dihet për fatin e 1.617 personave, megjithatë dua të them që rreth 73% të personave që konsideroheshin të zhdukur tashmë janë identifikuar dhe trupat e tyre janë kthyer përfshirë këtu edhe rreth 1 mijë persona që janë zhvarrosur në territorin e Serbisë. Pra është një sukses i paprecedent në gjithë botën nuk është shënuar në histori që ky numër kaq i madh i personave të jetë i identifikuar si pasojë e angazhimit të mekanizmave”, shtoi ai.
Tutje, Ndoi thotë se ky rrugëtim është ende i vështirë pavarësisht se rreth 70% janë zbuluar identiteti, ai thekson se ende ka shumë familje të cilat nuk dinë për fatin e familjarëve të tyre.
Sipas tij, ky proces në këto faza është më i ndërlikuar për faktin se shumica e varrezave masive janë zhvarrosur dhe se nuk pritet në të ardhmen të ketë varreza më të mëdha ose të shumta ku janë një numër i madh i personave, shkruan Tëvë1.
“Ka qenë rrugëtim i vështirë, vazhdon të mbetet sepse pavarësisht faktit të identifikimt të mbi 70% të personave, mbetet fakt që një numër i madh i familjeve akoma nuk dinë për fatin e personave… Procesi në këto faza është gjithnjë më i ndërlikuar sepse pjesa dërrmuese e varrezave masive janë zhvarrosur dhe nuk pritet të ardhmen të ketë varreza të mëdha ose të shumta masive ku do të dihej një numër i madh i personave dhe tani procesi është në fazë ngadalësimi, viti i kaluar ka qenë më rezultativ në kuptimin e identifikimit sepse ne i kemi lëshuar 18 raporte të ADN-së që u janë mundësuar IML-së të identifikojnë 18 persona dhe jemi duke angazhuar partnerët që ky proces të intensifikohet që të kemi sa më shumë raste të personave të zhdukur”, shtoi ai.