Kërcënimet e Serbisë në Kosovë shpeshherë bëhen edhe përmes Listës Serbe, përkatësisht paralajmërimeve për largimin e saj nga institucionet. Këto veprime nga analistë në Kosovë po shihen si mentalitet shantazhues ndaj Kosovës.
Në një seancë të përbashkët të kuvendeve komunale, 4 komunat me shumicë serbe në veri të Kosovës miratuan ditë më parë një deklaratë përmes së cilës parashihet largimi i serbëve nga institucionet e Kosovës, nëse nuk arrihet një kompromis për të gjetur zgjidhje për targat dhe dokumentet për hyrje/dalje. Udhëheqës të komunave Mitrovicë e Veriut, Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok paralajmëruan se do të nisin procesin e largimit nga të gjitha institucionet e Kosovës në të gjitha nivelet, duke filluar nga institucionet qendrore dhe lokale, e deri te gjykatat, policia dhe prokuroria. Nëse kjo ndodh, sipas Vullnet Bugaqkut nga Instituti Demokratik i Kosovës, pasojat më të mëdha do të ishin në Kuvendin e Kosovës.
“Nuk është hera e parë që Lista serbe largohet nga institucionet e Kosovës, ka pas raste edhe në të kaluarën, faktikisht pasoja më e madhe rezulton në punën e Kuvendit të Kosovës, për shkak se Kosova është në proces edhe të draftimit edhe të procesit të hartimit të vettingut për gjyqtar e prokuror në Kosovë, dhe një proces i tillë sipas Komisionit të Venecias duhet të bëhet nëpërmjet ndryshimeve kushtetuese dhe këto ndryshime kushtetuese nuk mund të kalojnë në qoftë se Lista Serbe nuk merr pjesë në Kuvendin e Kosovës dhe t’i votojë ato ndryshime”, ka thënë Vullnet Bugaqku, hulumtues në KDI.
Kjo nuk është hera e parë që serbët paralajmërojnë largimin nga institucionet e Kosovës, thonë analistët, sipas të cilëve Lista Serbe po flet me direktiva të Beogradit.
“Kjo është një sjellje e parashikueshme politike sepse është pjesë e një kulture të përgjithshme politike të serbëve ndaj Kosovës, një mentalitet shantazhues dhe veprimi më i mirë që mund ta bëjë qeveria është që të harmonizohet me aleatët ndërkombëtar dhe ta ruajë maturinë sepse kjo është mënyra më e duhur e të vepruarit. Këto shantazhe janë prezente qe 20 vjet, mirëpo dihet që adresa e tyre është në Beograd, prandaj qeveria e Kosovës duhet që gjithë presionin ta drejtojë nga Beogradi me ndihmën e aleatëve tonë”, ka theksuar Artan Muhaxhiri, analist.
E të njëjtin mendim e ka edhe Fatmir Çollaku, profesor universitar, që sipas tij ky është një paralajmërim i kamotshëm, por ai beson se në fund do të ketë në një marrëveshje reciproke.
“Për çdo pakënaqësi, për çdo kërkesë të tyre, ata në një mënyrë apo tjetër gjithmonë e kanë pasur shantazhin dhe kërcënimin, bojkotin dhe sabotimin, nuk e shoh diçka të re, në anën tjetër, a realizohet kjo apo jo, unë fuqishëm besoj se do të gjendet një zgjidhje paqësore e cila do të rezultojë me marrëveshje reciproke“, ka potencuar Çollaku për RTK.
Vendimet e Qeverisë së Kosovës për reciprocitet me Serbinë për targa dhe dokumente për hyrje-dalje në Kosovë kanë ngjallur reagime në Serbi dhe te serbët lokalë në veri të cilët ngritën barrikada më 31 korrik dhe 1 gusht. Pas heqjes së barrikadave, Qeveria e Kosovës u zotua për shtyrjen e zbatimit të vendimeve deri më 1 shtator.