Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Rrahman Jasharaj, ka thënë se kërkesa për 100 euro ka ardhur si pasojë e vonesës së miratimit të Ligjit të Pagave, ndërsa qeveria nuk përfill kërkesat dhe po injoron sindikatat duke refuzuar dialogun për një zgjidhje, raporton InLajmi.
Jasharaj në një deklaratë për media në ditën kur filloi greva në sektorin publik tha se kanë qenë të bindur që shteti do ti ndante 100 eurot për të punësuarit e sektorit publik, sepse ka buxhet.
“Kërkesa për 100 euro ka rrjedhë si pasojë e vonesës së miratimit të pagave. Nuk kemi shkuar në shuma të tjera më të larta, sepse janë 86 mijë të punësuar në sektorin publik. Do të ishte shenjë simbolike në këtë kohë krizë që të ndihet dora e shtetit . Jemi të bindur se shteti do ti ndante 100 euro sepse ka buxhet. Edhe këtij 100 euro shteti i ka thënë jo dhe po mundohet të injorojë kërkesat e sindikatave”, tha Jasharaj.
Gjithashtu ai tha se kanë hyrë në grevën e përgjithshme por që shpreson që nuk do të zgjatë shumë.
“Kemi bërë ç’mos për të shpëtuar vitin shkollor. Kemi kërkuar 100 euro dhe jemi të bindur se qeveria kish mundur ti realizojë. Po të kishim ligjin e pagave kërkesat tona nuk do ishin dhe nuk do kishte greva. Lus qytetarët mllefin që e kanë mos ta orientojnë tek ne po kah qeveria. Dhe kemi hyrë në grevën e përgjithshme por që ishalla nuk zgjat. Kemi bërë rrugëtim 9 muaj me apelin kryeministër plotësoja këtë kërkesë të gjithëve’. /InLajmi/