Presidenti rus Vladimir Putin akuzoi Washingtonin se po përpiqet të zgjasë konfliktin në Ukrainë dhe se po nxit tensionet rreth botës përfshirë Tajvanin. Në fjalimin e regjistruar për konferencën ndërkombëtare të sigurisë në Moskë, Putin e përshkroi vizitën e kryetares së dhomës së përfaqësuesve Nancy Pelosi si një provokim tërësisht të planifikuar.
“Përpjekja e rrezikshme e Shteteve të Bashkuara në Tajvan nuk është vetëm udhëtimi i një politikaneje të papërgjegjshme, por pjesë e një strategjie të qëllimshme të Shteteve të Bashkuara për të destabilizuar situatën e për të shkaktuar kaos në rajon dhe botë. Është një demonstrim i mungesës së respektit për sovranitetin e vendeve të tjera. E shohim këtë si një provokim të mirëplanifikuar”, tha Putin.
Në fjalimin e tij, Putin përmendi gjithashtu paktin e sigurisë Aukus, mes Australisë, Britanisë së Madhe dhe Shteteve të Bashkuara si dëshmi e përpjekjeve të perëndimit për të ndërtuar një bllok të stilit të NATO-s, në rajonin e Azisë së Paqësorit.
“Po shohim se Perëndimi po përpiqet të zgjerojë në rajonin e Azisë së Paqësorit, sistemin e ngjashëm me NATO-n në Europë. Për këtë qëllim, po krijohen aleanca luftëdashëse ushtarako-politike të tilla si AUKUS”, tha Putin, shkruan A2CNN.
Numri një i Kremlinit shtoi me tej se perëndimi ka nevojë për konflikte për të ruajtur hegjemoninë e vet, dhe për këtë arsye sipas tij, e ka kthyer Ukrainën në mish për top. Situata në Ukrainë sipas Putin, sugjeron se Shtetet e Bashkuara po përpiqen të zgjasin konfliktin.