Shefi i Asamblistëve të Lëvizjes Vetëvendosjes, Gëzim Sveçla, ka thënë se Kryetari i Komunës së Prishtinës, Përparim Rama nuk ka vullnet për ta qeverisur Kryeqytetin, raporton InLajmi.
Sveçla në konferencën e mbajtur për media si përfaqësues i asamblistëve të VV-së tha se Prishtina është në një gjendje shumë të keqe nën qeverisjen e Përparim Ramës.
“Janë bërë 8 muaj prej që Përparim Rama e ka marrë pushtetin. Sot, Prishtina është në gjendje më të keqe se para 8 muajve. Janë probleme reale, elementare, të thjeshta, të cilat zgjidhen lehtë, mjafton vetëm vullnet dhe vizion”.
Asamblisti theksoi se Prishtina ka pasur mjaft problemet që është dashur të zgjidhen nën udhëheqjen e Ramës, por sipas tij Kryeqyteti i janë shtuar edhe shumë probleme të tjera.
“Disa probleme janë të trashëguara, disa kanë ardhur bashkë me Përparimin. Po ka shumë marketing, shumë kamuflime e punë konkrete hiç. Është shqetësues fakti se kryetari Rama ka filluar të ndihet rehat në këtë parehati të qytetarëve”.
Në fund Gëzim Sveçla tha se i pari i Kryeqyteti po ndihet shumë rehat ndërsa qytetarët po përballen me sfida të ndryshme./InLajmi/