Kosova është duke hyrë në një etapë shumë delikate, ka thënë në një intervistë për Ekonomia Online, ish-ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli.
Prandaj sipas tij, Kosova nuk guxon të bëjë asnjë hap pa u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare në drejtim të zgjidhjes së problemit me Serbinë.
“Ne jemi duke hyrë në një etapë shumë delikate për Kosovën. Në etapën kur bashkësia ndërkombëtare pothuajse është në anën tonë dhe Kosova nuk guxon të bëjë asnjë hap pa u koordinuar me bashkësinë ndërkombëtare në drejtim të zgjidhjes së problemit me Serbinë”.
“Unë besoj se SHBA-ja konstant e kanë përkrahur Kosovën dhe janë duke përkrahur dhe ne duhet të veprojmë ashtu që të jem në sintoni në plotë me SHBA-në”, tha Pacolli.
Ai theksoi se Kosova nuk duhet të bëjë gabime që mund t’i kushtojë edhe qytetarëve sepse koha për të treguar gjoksin dhe retorika ka përfunduar.
“Unë nuk kisha hyrë në problematikën e politikës së jashtme të Kosovës e cila ka për të dëshiruar shumë. Unë udhëtoj nëpër shtete të ndryshme dhe dëgjoj shumë opinione dhe rekomandimi ynë që nuk duhet të bëjmë asnjë hap pa u koordinuar shumë mirë me miqtë tanë SHBA”.
“Ne nuk duhet të bëjmë gabim që mund t’i kushtojë Kosovës dhe qytetarëve të Kosovës. Koha për të treguar gjoksin dhe retorika ka përfunduar. Pseudopatriotizmi nuk ka vend më”, tha ai.
Kreu i AKR-së pohon se kryeministri Albin Kurti duhet të jetë pjesë e të gjitha takimeve në Bruksel sepse është në pyetje e ardhmja e vendit.
“Unë besoj se zotëri Kurti do të shkojë nëse është i fituar nga ShBA-ja. Nëse Kurti është i ftuar do të jetë aty dhe nuk guxon të mungojë aty dhe Kosova duhet të pjesë e të gjitha ngjarjeve dhe takimeve iniciativave ku flitet për të ardhmen e Kosovës. Dhe një takim në Bruksel nuk mendoj që pala jonë duhet ta refuzojë”, tha Pacolli.