Kryetarja e Komisionit të Mbrojtjes në Bundestag, Marie-Agnes Strack-Zimmermann, tha se mosmarrëveshjet aktuale mes Kosovës dhe Serbisë për çështjen e targave dhe dokumenteve të udhëtimit duhet të zgjidhet në pajtim mes 2 palëve.
“Ne kemi diplomatët e duhur atje, kemi BE-në atje dhe do të jetë detyra jonë që t’i ulim në një tryezë të përbashkët të 2 palët në konflikt”, tha ajo.
Tensionet e fundjavës në kufirin mes Kosovës dhe Serbisë ishin të mërkurën, 3.8. pasdite në rend të ditës së seancës së jashtëzakonshme të Komisionit të Mbrojtjes në Parlamentin Federal të Gjermanisë.
“Lufta e Ukrainës e ka rritur ndjeshmërinë tonë për konfliktet e tjera në botë. Prandaj edhe detyra jonë në Ballkanin Perëndimor është që të kujdesemi me mjete diplomatike që të arrihet qetësia”, tha më tej Strack Zimmermann.
Protestë e serbëve pas implementimit të masave të reciproritetit,
Qeveria gjermane ishte shprehur e shqetësuar për situatën në Kosovë qysh në fillim të javës.
Ministrja gjermane e mbrojtjes, Christine Lambrecht, tha se në rast nevoje KFOR-i do të ndërhyjë për të vendosur paqen.
Në qershor parlamenti gjerman e zgjati edhe me një vit mandatin e pjesëmarrjes gjermane në kuadër të forcave të KFOR-it.
Aktualisht në Kosovë janë të stacionuar vetëm 65 ushtarë gjermanë, por në rast nevoje kontingjenti mund të shkojë deri në 400.
Mbledhja e jashtëzakonshme e Komisionit, megjithëse Bundestagu ndodhet zyrtarisht në periudhën e pushimit parlamentar, ishte paralajmëruar prej kohësh, për shkak të situatës në Ukrainë. Strack-Zimmermann u shpreh për një angazhim më largpamës të Gjermanisë ndaj Ukrainës.
“Gjermania tani duhet të pyesë se çfarë do t’i duhet Kievit pas disa muajsh: “A është ajo që po bëjmë sot e mjaftueshme për atë që do të vijë në të ardhmen? Dhe kjo është arsyeja pse ne kemi thirrur për një konferencë donatorësh”, tha ajo për DW.
Veç kësaj Strack-Zimmermann kërkoi caktimin e një koordinatori për Ukrainën në Kancelarinë Federale për të gjetur se çfarë mund të bëhet në planin afatgjatë.