Tension i lartë mes Pekinit dhe Uashingtonit. Kryetarja e Dhomës Amerikane, Nancy Pelosi, do të largohet nga Singapori dhe pritet të zbarkojë në Tajvan rreth orës 22:20 me orën lokale, ndërsa presidenti Tsai Ing-Wen dhe zyra e tij nuk kanë bërë asnjë deklaratë për këtë çështje.
Asnjë nga zyrat më të larta në Shtetet e Bashkuara nuk ka shkelur në Tajvan në 25 vitet e fundit. Sipas ambasadorit kinez në Kombet e Bashkuara, Zhang Jun, vizita e mundshme e Pelosit “është shumë e rrezikshme, do të minonte marrëdhëniet midis Kinës dhe SHBA”.
Shtëpia e Bardhë ka paralajmëruar se Kina mund t’i përgjigjet vizitës së paramenduar të Nancy Pelosit në Tajvan me provokime ushtarake.
Kjo mund të përfshijë gjuajtjen e raketave pranë Tajvanit, ose aktivitete ajrore dhe detare në shkallë të gjerë, tha zëdhënësi John Kirby.
Pelosi, kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, u takua në Malajzi të martën në turneun e saj në Azi.
Mediat tajvaneze dhe amerikane thonë se ajo ka në plan të vizitojë Taipein të martën në mbrëmje, por nuk ka asnjë konfirmim zyrtar.
Megjithatë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve të martën, kryeministri i Tajvanit Su Tseng-Chang tha se ishulli “mirëpret ngrohtësisht” çdo mysafir të huaj.
Ai shtoi se Tajvani “do të bënte aranzhimet më të përshtatshme” për çdo vizitor.
Tajvani është një ishull i vetëqeverisur, por i pretenduar nga Kina, e cila e sheh atë si një provincë të shkëputur. Pekini ka paralajmëruar pasoja të rënda, nëse zonja Pelosi viziton.
Ndërsa SHBA ruan atë që e quan një “marrëdhënie të fortë, jozyrtare” me Tajvanin, ajo ka marrëdhënie diplomatike zyrtare me Kinën dhe jo me Tajvanin.
Të hënën, i dërguari i Kinës në Kombet e Bashkuara Zhang Jun paralajmëroi se vizita do të minonte marrëdhëniet midis Pekinit dhe Uashingtonit. Ministria e Jashtme e Kinës tha gjithashtu se një vizitë e Pelosit do të“përbënte një ndërhyrje të rëndë në punët e brendshme të Kinës” duke shtuar: “Ata që luajnë me zjarrin do të digjen prej tij”.
Ekziston një mbështetje e fortë 2 partiake për Tajvanin në mesin e publikut amerikan dhe në Kongresin e SHBA. Dhe zonja Pelosi, një figurë e lartë në Partinë Demokratike, ka qenë prej kohësh një kritike e zëshme e lidershipit kinez, duke denoncuar të drejtat e njeriut. Ajo ka takuar më parë disidentë pro-demokracisë dhe ka vizituar sheshin Tiananmen për të përkujtuar viktimat e masakrës së vitit 1989.
Pelosi filloi turneun e saj në Azi të dielën duke fluturuar për në Singapor. Itinerari i saj publik përfshinte gjithashtu ndalesa në Malajzi, Korenë e Jugut dhe Japoni, por nuk përmendi Tajvanin.
Pelosi fillimisht kishte planifikuar të vizitonte Tajvanin në prill, por e shtyu udhëtimin, pasi rezultoi pozitive për koronavirusin.
Në fillim të këtij muaji ajo tha se ishte “e rëndësishme për ne që të tregonim mbështetje për Tajvanin”, shkruan A2CNN.
Presidenti Joe Biden ka thënë se ushtria amerikane beson se një vizitë e Pelosit në Tajvan “nuk është një ide e mirë për momentin”.