Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Shqipërisë ka reaguar për vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë.
Enkelejd Alibeaj, në emër të grupit, thotë se mbështesin hapat e ndërmarra nga institucionet e Kosovës, derisa shton se situata e krijuar në veri të Kosovës vjen si pasojë e provokimeve nga strukturat paralele serbe.
Ai thekson se PD-ja do të jetë në çdo kohë në krah të Kosovës në rrugën e konsolidimit të shtetësisë dhe të pavarësisë, si dhe në ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajon.
“Partia Demokratike mbështet institucionet e Kosovës në ruajtjen e rendit dhe të ligjshmërisë në të gjithë territorin e saj. Partia Demokratike mbështet rrugën e Kosovës në konsolidimin e shtetësisë dhe sovranitetit të saj”.
“Partia Demokratike ndjek me vëmendje situatën e krijuar në veri të Kosovës si pasojë e provokimeve nga strukturat paralele serbe. Partia Demokratike duke mbështetur vullnetin e institucioneve të Kosovës, duke nxitur bashkërendimin me partnerët tanë strategjikë do të jetë në çdo kohë në krah të Kosovës në rrugën e konsolidimit të shtetësisë dhe të pavarësisë si dhe në ruajtjen e paqes e stabilitetit në rajonin tonë”,thotë ai, shkruan A2 CNN.