Shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se marrëveshja e nënshkruar mes Qeverisë së Kosovës dhe MCC-së e dëshmon partneritetin me Kosovës dhe SHBA-së.
Ajo, në seancën e sotme të Kuvendit ku në rend dite është ratifikimi i marrëveshjes me MCC-në, tha se qytetarët, bizneset dhe institucionet do të përfitojnë nga marrëveshja 236 milionë dollarëshe.
“Sot kemi vënë në agjendë ratifikimin e marrëveshjes kompakt të Sfidave të Mijëvjeçarit dhe marrëveshjes për zbatimin e programit në mes të Kosovës dhe SHBA-së për të shënuar kështu më shumë se kurrë dëshminë e partneritetit të pathyeshëm mes SHBA-së dhe shtetit tonë. Ky projekt do t’i sjellë Kosovës 236.7 milionë dollarë grant”.
“Është lajm i jashtëzakonshëm për qytetarët e vendit, institucionet dhe komunitetin e biznesit, sepse në këtë mënyrë po rrisim kapacitetet tona në energji, por në të njëjtën kohë përforcojmë ekonominë tonë e cila me rritjen që ka dhe eksportet e shtuara natyrisht se do të ketë më tepër nevojë për energji. Kjo marrëveshje tregon lidhjen e pandashme me SHBA-të dhe mbështetjen që ka fokus shoqërinë dhe zgjidhjen e sfidave të kohës në qendër, duke pasur parasysh që siguria e furnizimit me energji është sfidë për shumë popuj në botë sot”.
Shefja e grupit parlamentar të Vetëvendosjes tha se ky investim në Kosovë mund të kthehet në investim më të mirë që do t’iu mbetet gjeneratave të reja.
“Kosova është e gatshme të mbështesë këtë rrugëtim për energji të pastër. Ky është investimi më i madh prej dekadash në vendin tonë që do të kontribuojë në stabilitetin energjetik dhe punësimin e grave në mënyrë që ato të fitojnë shkathtësitë e kërkuara dhe të ofrojnë asistencë teknike për punëdhënësit në fushën e energjisë duke e rritur kështu numrin e grave të punësuara në këtë sektor, ku numri i tyre është ende shumë i vogël në përqindje. Ky program redukton varësinë energjetike të Kosovës nga importi, do të mundësojë stabilizimin e furnizimit me energji, integrimin e burimeve të ripërtëritshme të energjisë, për përgatitjen e fuqisë punëtore në sektor me gratë në qendër të kësaj iniciative”.
Kusari-Lila e ka falënderuar opozitën për qasjen ndaj marrëveshjes me MCC-në për çështjen e energjisë, njofton Klankosova.tv.
“Sot dua të falënderoj edhe opozitën për qasjen konstruktive dhe bashkëpunimin që nga propozimi në komisionin funksional deri te votimi në komision, miratimi në pikë të procesverbalit sot dhe rrjedhimisht edhe votimin e kësaj marrëveshje”.