Komisioni Europian miratoi një vaksinë kundër lisë së majmunëve për përdorim. Kjo vjen pasi Organizata Botërore e Shëndetësisë e shpalli sëmundjen një emergjencë globale shëndetësore. Njoftimi për aprovimin e vaksinës u bë nga një kompani daneze, e cila zhvilloi vaksinën në fjalë. “Komisioni Europian zgjeroi autorizimin e përdorimit për vaksinën e kompanisë për Linë e Zezë, Imvanex, duke përfshirë edhe mbrojtjen ndaj Lisë së Majmunëve”, thuhet në një deklaratë.
Gjithashtu bëhet me dije se disponimi i një vaksine të aprovuara mund të përmirësojë ndjeshëm gatishmërinë e vendeve për të luftuar këtë sëmundje. Ndërkohë, e ashtuquajtura vaksina bavareze, është e vetmja që ka siguruar miratimin për përdorim në parandalimin e Lisë së Majmunëve edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Kanada, shkruan A2CNN.
Gjatë të shtunës, OBSH e shpalli sëmundjen një emergjencë globale shëndetësore, duke lëshuar kështu alarmin më të madh që ka në dorë. Deri më tani janë regjistruar rreth 16 mijë njerëz të infektuar në 72 shtete të ndryshme. Megjithatë Lia e Majmunëve është më pak e rrezikshme dhe e përhapshme se Lija e Zezë, e cila është zhdukur në vitin 1980. Simptomat e para të sëmundjes së majmunëve janë temperaturë, dhimbje kokë, muskujsh dhe shpinë në harkun kohor të 5 ditëve. Irritimet e lëkurës shfaqen zakonisht në fytyrë, duar, krahë dhe këmbë.