Prokuroria Themelore në Prishtinë ka dalë me sqarim për ftesën për intervistim ndaj ish-prokurores Maria Bamieh.
Sipas Prokurorisë, ajo ka qenë e ftuar për intervistim pranë Prokurorisë Themelore në Prishtinë dhe është duke vepruar konform dispozitave ligjore në fuqi, pasi bazuar në shkresat zyrtare, Bamieh iu është hequr imuniteti nga Kombet e Bashkuara.
Së këndejmi, ajo sipas legjislacionit vendor, është udhëzuar nga Prokuroria të angazhojë avokat vendorë i cili është i licencuar nga OAK.
“Prokuroria Themelore në Prishtinë, për hir të informimit të saktë, bën të ditur për opinionin publik se, lidhur me rastin e znj. Bamieh, e cila ka qenë e ftuar për intervistim pranë kësaj prokurorie, është duke vepruar konform dispozitave ligjore në fuqi, pasi bazuar në shkresat zyrtare që ka në posedim prokurorja e çështjes, më 03.06.2017, znj. Bamieh i është hequr imuniteti nga Kombet e Bashkuara dhe e njëjta sipas legjislacionit vendor, është udhëzuar nga prokuroria të angazhojë një avokat vendor, i cili është i licencuar nga Oda e Avokatëve të Kosovës, për zhvillimin e mëtejmë të procedurës.”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Para një jave, vet Bamieh njoftoi se është ftuar nga Prokuroria për intervistim nën dyshimet për keqpërdorim të detyrës zyrtare dhe rrjedhje të informacioneve, shkruan lajmi.net.
“Ju njoftoj që sot menjëherë pas konferencës për shtyp një zyrtar policor më dorëzoi një ftesë për intervistim nga prokurorja Fitore Sadikaj nën dyshimin që kam kam kryer veprat penale të keqpërdorimit të detyrës zyrtare dhe rrjedhjes së informacioneve sekrete. E pranova ftesën dhe e njoftova zyrtarin policor që do të bashkëpunoj plotësisht me autoritetet kosovare. Maria Bamieh”, tha ajo.