“Edi Rama përbën rrezik të madh kombëtar”, kështu deklaroi nga Fieri kreu i PD-së Sali Berisha gjatë një takimi me qytetarët për reformën territoriale. Sipas Berishës Rama po qëndorn në pushtet në mënyrë të paligjshme
“Vazhdoi me dhunimin e votës, vazhdoi me patronazhistët. Vazhdoi me përdorimin e të gjithë shtetit për votën. Vazhdoi me bandat, terrorin dhe sot qëndron në pushtet në mënyrën më të paligjshme që mund të qëndrojë një njeri”.
Kreu i selisë blu shprehu angazhimin për t’u përballur në një betejë shumëplanëshe për rrëzimin e Ramës, shkruan A2CNN.
“Ne jemi të angazhuar në një betejë shumëplanëshe. Duhet të përballemi me armikun më të keq të lirisë së shqiptarëve pas Enver Hoxhës deri sot, që është Edi Rama. Të shpallësh një kundërshtar armik nuk është e përshtatshme, por një kundërshtar që shkelmon dhe dhunon votën e qytetarëve, që ju heq anëtarëve të partisë së tij të drejtën e votës, dhe krijon një parti që nuk voton, e cila në të gjitha variantet s’mund të jetë kurrë demokratike. Mund të jetë ekstremiste e majtë, mund të jetë naziste apo fashiste, por vetëm parti e një harku kushtetues demokratik nuk mund të jetë. Këtu e ka sjellë Edi Rama shoqërinë shqiptare. Ai nuk është më pak armik i demokratëve se sa është i vetë socialistëve që besojnë në lirinë, votën dhe rregullat e demokracisë”.