Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kujtuar 12 vjetorin kur Gjykata Nërkombëtare e Drejtësisë ka shpallur vendimin që vërteton se shpallja e pavarësisë së Kosovës nuk ka cenuar të drejtën ndërkombëtare, përcjell InLajmi.

Për më tepër Haradinaj ka thënë se jetësimi i idealit më 17 shkurt, u vulos me drejtësi mbi shtetin sovran të Kosovës më 22 korrik 2010.

Haradinaj shkruan se “Kosovës ja kemi borxh që ta rreshtojmë krah vlerave perëndimore me miqtë e aleatët tanë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Promovimi i shtetit tonë, vlerave, kulturës, historisë është obligim i secilit prej nesh”.
Postimi i plotë i tij:
12 vjet nga vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi të drejtën e pakontestueshme të shpalljes së pavarësisë së Kosovës pa shkelur të drejtën ndërkombëtare.
Jetësimi i idealit tonë me 17 Shkurt, u vulos me drejtësi mbi shtetin tonë sovran me 22 Korrik 2010.
Rruga deri këtu ka qenë e gjatë, e vështirë dhe me shumë sakrifica ndër shekuj. Kemi shumë për të bërë para vetës për një shtet me dinjitet e shpresë, për të tashmen dhe të ardhmen.
Kosovës ja kemi borxh që ta rreshtojmë krah vlerave perëndimore me miqtë e aleatët tanë në krye me Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Promovimi i shtetit tonë, vlerave, kulturës, historisë është obligim i secilit prej nesh.
Aty ku na ndanë politika, nuk na përçan ëndërra e kahmotshme e Kosovës Republikë. Jemi bashkë në këtë rrugë.
Zoti e bekoftë Kosovën! /InLajmi/




















