Një turist serb ka humbur jetën në Grykën e Valbonës. Ende nuk dihen detaje të tjera mbi ngjarjen por pritet zbardhja e shkaqeve të vdekjes së turistit.
Ndërkohë sipas burimeve zyrtare policia e komisariatit të Tropojës së bashku me një grup shpëtimi të mbështetur edhe nga Kosova po shkojnë drejt vendit të ngjarjes.
Gjatë paradites, Salla Operative e Tropojës ka marrë njoftim nga një turiste serbe, se në vendin e quajtur “Maja e grykave të hapura”, Valbonë, duke eksploruar zonën me një grup turistësh, njëri prej tyre, shtetasi G. S., kishte ndërruar jetë, dyshohet si pasojë e infarktit.
Shërbimet e Komisariatit të Policisë Tropojë, së bashku me ekipin mjekësor të spitalit të Tropojës, janë nisur drejt adresës së dhënë, raporton Gazeta Express.
Duke qenë se për shkak të terrenit të thepisur, nuk është e mundur ulja e helikopterit, në ndihmë të shërbimeve të Policisë Tropojë janë nisur edhe Forcat e kërkim-shpëtimit të Kosovës, për të bërë të mundur nxjerrjen e turistëve, nga vendi ku janë bllokuar.