Parlamenti i Maqedonisë së Veriut ka miratuar propozimin francez për t’i hapur rrugë çeljes së negociatave me Bashkimin Europian.
Propozimi francez u miratua me 68 vota të pro të mazhorancës, ndërsa opozita maqedonase u largua nga Parlamenti para se të niste votimi.
Prej 3 ditësh, Parlamenti i Maqedonisë së Veriut diskutonte për propozimin e Francës që zgjidhte ngërçin me Bullgarinë, shtet ky që ka vendosur veton dhe mban bllokuar procesin e negociatave për RMV-në, e rrjedhimisht edhe për Shqipërinë duke qenë se 2 vendet janë së bashku në këtë proces.
Njëkohësisht, në Shkup janë zhvilluar protesta kundër propozimit francez, të cilat janë organizuar nga opozita maqedonase.
Me miratimin nga Parlamenti i Maqedonisë së Veriut të propozimit francez, pritet që javën e ardhshme të mbahet Konferenca e Parë Ndërqeveritare mes Shqipërisë dhe RMV-së me Bashkimin Europian për hapjen e negociatave. Liderët europianë i kishin bërë thirrje Shkupit zyrtar që të pranonte propozimin francez, ndërsa partia opozitare maqedonase VMRO-DPMNE e ka kundërshtuar fort, shkruan Tvklan.
Nëse propozimi francez nuk do të ishte miratuar nga Parlamenti maqedonas, Kryeministri Edi Rama kishte paralajmëruar 2 ditë më parë nga një konferencë me eurokomisionerin Varhelyi se Shqipëria do të bënte kërkese zyrtare për t’u ndarë nga procesi me Maqedoninë e Veriut për çeljen e negociatave.