Ministria e Shëndetësisë, ka njoftuar se është miratuar vaksinimi i fëmijëve të moshës 5-11 vjeç kudër koronavirusit, përcjell InLajmi.
Në njoftim thuhet se ky vendim është marrë pas ditë më parë janë siguruar doza pediatrike të vaksinës kundër koronavirusit, ky donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes mekanizmit COVAX.
Ndryshe, deri më tani është lejuar vetëm vaksinimi i fëmijëve mbi 12 vjeç.
Njoftimi i plotë nga Ministria e Shëndetësisë:
Njoftim rreth vaksinimit të fëmijëve kundër COVID-19
Prishtinë, 14 korrik 2022
Ministria e Shëndetësisë i njofton prindërit e fëmijëve të moshës 5-11 vjeç se ka miratuar vaksinimin e tyre me vaksinën kundër COVID-19.
Pas sigurimit ditë më parë dozave pediatrike të vaksinës kundër COVID-19, donacion nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës përmes mekanizmit COVAX dhe sigurimit të materialeve përcjellëse për vaksinim, fëmijët e moshës 5-11 vjeç, nën përkujdesjen e prindit ose kujdestarit ligjor, mund të vaksinohen që tani kundër COVID-19 në njësitë e vaksinimit në komunat e Kosovës.
Për rikujtim:
- Grupmosha 60+ vjeç mund të vaksinohen me dozën e katërt me kusht që të kenë kaluar së paku 4 muaj nga marrja e dozës së tretë.
- Grupmosha 12+ vjeç mund të vaksinohen me dozën e parë, të dytë dhe të tretë;
- Grupmosha 5-11 vjeç me dozen e pare dhe dozën e dytë.
Ministria e Shëndetësisë u bën thirrje qytetarëve që të vaksinohen kundër COVID-19 për të parandaluar sëmundjen, format e rënda të saj dhe vdekjet nga COVID-19. /InLajmi/