Deputetja e VV-së, Fitore Pacolli, në seancën Plenare të Kuvendit të Kosovës, ka thënë se kërkon vëmendje të qeverisë dhe kuvendit rreth funksionimit të medias në Kosovë, përcjell InLajmi.
Lidhur me këtë ka reaguar Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës, duke thënë se kjo është e pa pranueshme dhe se paraqet rrezik për lirinë e medias në Kosovë.
Gjithashtu thuhet se ndaj Pacollit ky është një kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave.
Njoftimi i plotë nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës:
AGK-ja dhe KMSHK-ja të shqetësuar me fjalimin kundër mediave të deputetes Fitore Pacolli
Në një fjalim të sotëm në Kuvend, deputetja e partisë në pushtet, Vetëvendosje, Fitore Pacolli, ka bërë thirrje për rregullim qeveritar të mediave, sidomos mediave online.
Thirrja e hapur e deputetes Pacolli për ndërhyrje direkte të Qeverisë për kontroll ndaj mediave është e papranueshme për AGK-në dhe KMShK-në dhe paraqet rrezik për lirinë e medias në vend.
Mediat, shumica e të cilave janë të regjistruara si biznese në ARBK, kurse një pjesë tjetër si OJQ, rregullojnë veprimtarinë e tyre nëpërmjet ligjeve përkatëse në Kosovë dhe rregulloreve të Komisionit të Pavarur të Mediave dhe Këshilli i Mediave të Shkruara të Kosovës – Press Council of Kosovo.
Çdo tentim i Qeverisë për të ushtruar kontroll mbi mediat është tentativë e papranueshme për të ndërhyrë në punën e tyre. Ky është kërcënim serioz i pushtetit aktual kundër mediave. /InLajmi/