Konfirmimi i nënshkrimit të Raphinhas është vetëm një nga marrëveshjet e suksesshme që Barcelona planifikon të bëjë në afatin kalimtar veror të këtij viti.
Transferimi vjen pasi drejtuesit e klubit zbuluan së fundmi një marrëveshje për të aktivizuar një ndihmë të dytë financiare që do ta vendosë klubin në një pozicion të mirë për të sjellë lojtarët që i nevojiten.
Duke shitur 15 % të të drejtave televizive, Barcelona do të sigurojë afërsisht 330 milionë euro, ndërsa ndihma e mëparshme, për 10 % dhe e nënshkruar edhe me kompaninë Sixth Street, i solli klubit tashmë 207.5 milionë euro në fund të qershorit.
Injeksioni financiar është jetik. Së pari, siguron para për të sjellë lojtarë të mirë. Së 2-ti, arrin të lehtësojë presionin mbi buxhetin për pagat e futbollistëve.
Menaxhimi i Joan Laporta dhe Eduardo Romeu ishte i rëndësishëm në arritjen e marrëveshjes, e cila tani e vendos klubin në një pozitë të mirë.
Jo të gjitha paratë do të përdoren për transferime. Barcelona është e vetëdijshme për borxhin që ka, ndaj një pjesë e 330 milionë eurove do të shkojë për uljen e kësaj shume, por kjo i lejon të dalin në treg dhe të sjellin lojtarë të mirë.
Sot ata përfunduan transferimin e Raphinhas pasi më parë kishin sjellë lojtarë të mirë si Franck Kessie dhe Andres Christensen.
Robert Lewandowski mund të jetë i radhës, por mund të ketë edhe nënshkrime të tjera si Cesar Azpilicueta dhe Marcos Alonso.
Sjellja e Jules Kounde është gjithashtu një mundësi e madhe për Barcelonën, shkruan Telegrafi.
Objektivi i fundit do të ishte Bernardo Silva, por transferimi i tij është shumë më i vështirë për t’u realizuar pasi Manchester City do të kërkojë shumë para për portugezin pasi klubi anglez e vlerëson lojtarin nga 90 deri në 100 milionë euro.