Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka kujtuar 27 vjetorin e masakrës së Srebrenicës, përcjell InLajmi.
Lidhur me këtë, Mehaj me ftesë zyrtare tha se ka marr pjesë në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë.
Gjithashtu ai ka thënë se lutjet e tij kanë qenë për shpirtrat e burrave dhe djemve të pafajshëm të Srebrenicës.
Më tej ai, ka shtuar se aroma e tyre është e shpërndarë kudo në botë me shpresën për një fitore të së vërtetës.
Postimi i plotë i tij:
Pikërisht, para një viti, me ftesë zyrtare të organizatorëve, si përfaqësues shtetëror të Republikës së Kosovës, së bashku me kryeministren Rexhepi dhe ministrin Krasniqi, ishim në Memorialin e Gjenocidit në Srebrenicë.
Pikërisht para një viti, bashkë me nënat, gratë, bijtë e bijat e mbijetuara të Srebrenicës dhe me zemrat e copëtuara të tyre, përkujtuam mbi 8 mijë, burrat dhe djemtë e tyre të rinj boshnjakë myslimanë të cilët para 27 vjetësh u masakruan nga forcat barbare të Ushtrisë Serbe.
Lutjet tona qofshin bekim i Zotit për shpirtrat e burrave dhe djemve të pafajshëm të Srebrenicës!
Në tokën me eshtrat dhe hirin e tyre, u rritshin e lulëzofshin gjithmonë lulet simbol me petale të bardha!
Aroma e tyre u shpërndaftë kudo në Botë me Shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për Srebrenicën,
Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat e Krushës së Madhe, Mejës, Izbicës, Prekazit, Likoshanit, Qirezit, Abrisë, Rezallës, Dubravës, Qyshkut, Reçakut, Makovcit, Suharekës, Kotlinës, Llashticës, e shumë masakra e krime tjera në Kosovë;
Me shpresën për fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës për masakrat në Sanxhakun e Nishit, Gjilanit, Karadakut, Drenicës dhe gjithë Kosovën përgjatë një shekulli.
Në bazë të Drejtës Ndërkombëtare Humanitare dhe Konventës së Gjenevës mbi Krimet e Luftës, krimet e luftës nuk vjetrohen.
Bota nuk duhet të heshtë.
Ne nuk duhet të heshtim.
Sepse HESHTJA është vrasja e 2-të e srebrenicasëve dhe qindmijëra shqiptarëve të pafajshëm.
Heshtja mbetet pastaj krimi i vërtetë kundër njerëzimit.
Prandaj qendrat e vendimmarrjes së botës demokratike, nuk duhet të dorëzohen.
Ende është dhe duhet të jetë e fuqishme ndërgjegjja njerëzore, sepse gjëma e nënave të viktimave nuk pushon kurrë, e shpirtrat e viktimave nuk qetësohen pa fitoren e drejtësisë dhe të vërtetës.
Vetëm duke ndjekur penalisht të gjithë autorët serb të krimeve të luftës dhe krimeve kundër njerëzimit mund të parandalohen gjakderdhjet në të ardhmen.
Sepse, siç thotë ish- zonja e parë e SHBA-së, Eleanor Roosevelt, “Nuk është e mjaftueshme për të folur për paqen. Duhet besuar në të. Dhe nuk është e mjaftueshme për të besuar në të. Duhet punuar për të.”
Dhe duhet punuar për paqen, sepse ua kemi borxh gjeneratave të ardhshme.
Ia kemi borxh ndërgjegjes sonë që thirret pa pushim nga viktimat e pafajshme.
Le t’i kujtojmë, t’i nderojmë dhe të mos harrojmë kurrë gjenocidin e Srebrenicës! /InLajmi/