Në pamundësi për të shqyrtuar Projektligjin për rregullimin e çmimit të produkteve medicinale, anëtarët e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, akuzuan partinë në pushtet Lëvizjen Vetëvendosje se qëllimshëm munguan në këtë mbledhje, raporton InLajmi.
Lidhur me këtë, Deputeti i PDK-së, Bekim Haxhiu, ka thënë se qëllimshëm mazhoranca mungoi duke bërë që të dështojë kjo mbledhje për shkak të mungesës së kuorumit.
“Në muajin mars kemi propozuar nismën për projektligjin për çmimin e produkteve të barnave dhe në vazhdimësi ky projektligj bashkë me atë tjetrin të iniciuar nga opozita në vazhdimësi janë prolonguar e nuk janë trajtuar nga pushteti. Në mbledhjen e fundit jemi dakorduar qe t’i trajtojmë këto dy projektligje. Pushteti i VV-së pamundësuan kuorumin, që të pamundësohet votimi i këtyre 2 projektligjeve, atë për çmimet medicinale dhe atë për shëndetësi”, tha Haxhiu.
Gjithashtu ai tha se, në këtë projektligj çmimi i barnave do të jetë i njëjtë por nuk do të ketë dallime prej barnatoreve në Kosovë.
“Ju e dini qe aktualisht në Kosovë ka barna që çmimi në raport me vendet tjera është më i lartë, deri më 300, 400% më lartë se në vendet e rajonit. Përmes këtij projektligji çmimi i barnave do të jetë i njëjtë, e nuk do të ketë dallime prej një barnatore dhe një barnatore tjetër, ose vendeve referente”, tha ai.