Alarmet e rrejshme për bomba në Prishtinë, kanë pasur efekt edhe në shtetin Helvetik. Ushtria e Zvicrës aktivizoi 2 aeroplanë luftarakë për të shoqëruar aeroplanin e udhëtarëve që ishte nisur nga Prishtina.
Gjatë ditës së djeshme në Kosovë ka pasur alarme të shumta për vendosjen e mjeteve shpërthyese në objekte shkollore. E, një alarm për bombë ishte edhe në Aeroportin Ndërkombëtar “Adem Jashari” të Prishtinës.
Si pasojë e këtyre alarmeve, efekte pati edhe shteti zviceran për shkak se në kohën e alarmit në Aeroportin e Prishtinës, një aeroplan ishte duke fluturuar drejt Cyrihut.
Autoritetet zvicerane të sigurisë me të marrë njoftimin, kanë aktivizuar 2 aeroplanë luftarakë të tipit F/A-18.
Aeroplanët luftarakë që janë ngritur me urgjencë për të shoqëruar aeroplanin e udhëtarëve të linjës Prishtinë-Cyrih, kanë shkaktuar shqetësime të mëdha të zviceranëve.
Ata rrëfejnë për mediat vendore se kanë dëgjuar 2 zhurma të mëdha supersonike, derisa kanë parë 2 avionët luftarakë në një distancë jo të largët nga njëri-tjetri, transmeton Telegrafi.
Ushtria kishte marrë alarmin rreth orës 18:50, derisa avionët kishin shoqëruar aeroplanin e udhëtarëve i cili arriti të aterronte pa probleme në Aeroportin Kloten të Cyrihut pas orës 20:00.