Kryetari i Partisë Social Demokrate, Dardan Molliqaj, ka thënë se qeveria me ligjin për paga, ka synim të përjashtojë sindikatat nga vendimmarrja dhe veteranët nga përfitimet pensionale.
“Me këtë ligj të ri, pensioni i veteranëve bëhet më shumë se 260 euro, arsyeja pse po i ndryshon ligjet, është për të bërë këtë shkëputje dhe për t’i hequr sindikatat dhe odat nga vendimmarrja për pagën minimale. Ky nuk është një proces për pastrim të listave, por i përjashton sindikatat nga vendimmarrja, dhe veteranët nga benefitcionet”, tha Molliqaj.
Moliqaj madje foli edhe për taksa, për të cilat tha se qeveria duhet t’i rrisë për bizneset e mëdha.
“Duhet të rriten taksat në këtë vend, taksat për korporata, lëri të bëjnë biznes, por rritja taksat, mos i përndjek njerëzit që s’po të pëlqejnë, le t’i vendosim taksat më të drejta dhe le të ketë shpërndarje më të madhe”, u shpreh Molliqaj.
Sipas tij, korporatat e mëdha kanë shënuar rritje në kohë krize.
“Janë kompanitë e mëdha në Kosovë që në krizë janë rritur”, shtoi ai.
Ai po ashtu, tha se më shumë paguajnë qytetarët tatim, sesa kompanitë e mëdha, shkruan Klan Kosova.
“Tatim më shumë paguajnë qytetarët se bizneset.. TVSh-në dhe akcizën e paguajnë qytetarët. Bizneset janë të mëdha për shkak të konsumit tonë. Ata fitojnë sepse ne konsumojnë, fitojnë sepse ne punojmë”, përfundoi ai.