Departamenti Amerikan i Drejtësisë bëri me dije se do të hetojë reagimin e policisë ndaj sulmit me armë të një 19-vjeçari në një shkollë në Uvalde të Teksas, ku u vranë 19 fëmijë dhe 2 mësues.
Zemërimi i publikut po rritet pas zbulimit të të dhënave se oficerët prisnin në korridor ndërsa fëmijët e bllokuar me sulmuesin bënin thirrje të dëshpëruara për ndihmë.
Presidenti i SHBA Joe Biden, së bashku me Zonjën e Parë, zhvilluan një vizitë në Uvalde ku u takuan me familjet e shkatërruara nga sulmi.
Ata zhvilluan homazhe dhe të 2 u panë duke fshirë lotët nga poshtë syzeve të diellit. Zonja Biden preku me radhë foton e secilit fëmijë, shkruan A2CNN.
Çifti më pas mori pjesë në një meshë katolike në kishën e “Zemrës së Shenjtë”. Protestuesit jashtë kishës bërtisnin: “Bëj diçka!” ndërsa presidenti doli jashtë dhe premtoi se reagimi do të jetë shumë i shpejtë.