Reshje të forta shiu të shoqëruara me breshër të madh, kanë goditur gjatë ditës së sotme, por edhe të djeshme, pjesë të ndryshme të Kosovës.
Këto reshje janë shoqëruar me ulje të shpejta të temperaturave dhe me vranësira të dendura.
Fshatra e qytete të ndryshme të Mitrovicës, Vitisë, Dragashit e Skënderajt, e Istogut, kanë pësuar dëme të mëdha sidomos në bujqësi.
Krejt kjo, bazuar në parashikimin e motit nga Estofex.org, Eksperimentit Evropian të Parashikimit të Stuhive, që të premten raportoi se këtë të shtunë e diel, do të kishte stuhi në male e që në rrafshina, do të përcillen me ulje të temperaturave dhe reshje të shpejta shiu.
Sidoqoftë, ky mot e temperatura janë të nivelit të parë, që do të thotë se nuk janë të rrezikshme apo që paraqesin rrezik për përmbytje, krahasuar me nivelet e tjera si 3, 4 apo 5.
Ndërkohë, sipas Meteo Ballkan, linja e rrebesheve me bubullima nga Shqipëria dhe Maqedonia Veriore po hyjnë gradualisht edhe në territorin e Republikës së Kosovës dhe rrebeshet kanë filluar në disa vise të Dukagjinit afër kufirit me Shqipërinë.
Një celulë e fuqishme e rrebesheve me bubullima gjendet ne jug dhe perëndim të Shqipërisë përgjatë vijet bregdetare, ndërsa në Maqedoni duket se ka përsëri breshër.
Gjatë ditës këto reshje pritet të shtrihen dhe intensifikohen edhe në Kosovë, duke kushtëzuar rrebeshe lokalisht të fuqishme shiu me vetëtima dhe bubullimë. Ka gjasa që të ketë edhe vërshime afatshkurtra dhe breshër, shkruan RTK.
Të hënën na pret mot më i qetë, megjithatë pasdite në Kosovë priten rrebeshe lokale shiu me vetëtima dhe bubullimë, por rrebeshet do të jenë në zona më të izoluara.