Studimet e larta, Bujar Nishani i kreu në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në Tiranë, në vitin 1988. Ka kryer studimet pasuniversitare në Kaliforni, në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për “Menaxhimin e Resurseve të Mbrojtjes”, në vitin 1996. Studioi për Jurispudencë në Fakultetin e Drejtësisë, në Universitetin e Tiranës, ku u diplomua si jurist në vitin 2004. Në vitin 2005 merr titullin “Master”, në Studimet Evropiane, në Shkollën e Studimeve Evropiane, pranë Universitetit të Tiranës.
Karrierën profesionale e nisi si pedagog në Akademinë Ushtarake “Skënderbej” në vitin 1988. Më pas, në vitin 1993 punoi në Drejtorinë për Marrëdhëniet me Jashtë në Ministrinë e Mbrojtjes, duke vazhduar në vitin 1994 në Ministrinë e Jashtme në Drejtorinë e Marrëdhënieve me NATO-n dhe në vitin 1996 në Kabinetin e Ministrit të Mbrojtjes. Në vitin 1997, ai kthehet në profesion të lirë si Kryetar i Forumit të Ushtarakëve Euro-Atlantikë.
Në korrik të vitit 2005, zoti Nishani zgjidhet deputet në zonën elektorale 34, në Tiranë si përfaqësues i Partisë Demokratike.
Më 11 qershor 2012, Kuvendi e zgjodhi President të Republikës së Shqipërisë në raundin e katërt me 73 vota pro dhe 1 votë kundër. Në 24 korrik 2012, Bujar Nishani betohet në Kuvendin e Shqipërisë si President i Republikës.
Gjatë shumicës së vizitave shtetërore jashtë vendit, Nishani ishte orientuar maksimalisht në forcimin e marrëdhënieve të fqinjësisë së mirë, duke përmendur mbështetjen e saj për pjesëmarrjen e Kosovës në të gjitha aktivitetet multilaterale rajonale dhe ndërkombëtare.