Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Joern Rohde, ka folur rreth vizitës së kancelarit gjerman Olaf Scholz në Ballkanin Perëndimor, e cila pritet të nisë në muajin qershor.
Rohde ka thënë që edhe sikur ta dinte se kur Scholz vjen në Kosovë, nuk do ta thoshte në televizion.
“Edhe sikur ta dija, nuk do ta thoja në televizion. Kancelari ka thënë se në një të ardhme, para takimit në Këshillin Evropian do të vijë për vizitë në rajon. Udhëtimi për në rajon, në Prishtinë e Beograd, ndër tjerash, e nënvizon prioritetin të cilin ne i japim rajonit. Kryeministri rishtas ishte në Berlin, edhe presidenti serb Vuçiq dhe para tij edhe kryeministri shqiptar Rama, pra Gjermania nuk deklaron vetëm se rajoni është i rëndësishëm, por ne duam që rajoni vërtetë të afrohet më shumë me Evropën. Për këtë angazhohemi ne dhe për këtë mbahen edhe kontaktet me vendet e rajonit dhe një vizitë e tillë e thekson këtë.
Tutje Rohde ka thënë që qëllimi i vizitës së Scholz, është për shkak se duan përparim në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Prandaj edhe i vizitojmë. Ne duam që (t’i vizitojmë) këto vende, pikërisht tani në situatën aktuale gjeo-politike. Ne duam përparim në marrëdhëniet në mes Kosovës dhe Serbisë. Gjermania ka qenë njëra ndër shtetet që e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe e dini se sa të ngushta janë marrëdhëniet tona, apo jo. Para dy muajve e kemi pasur për vizitë këtu Ministren e Punëve të Jashtme, para javës së kaluar Ministren e Mbrojtjes, Gjermania është partneri më i madh tregtar, investitori më i madh, diaspora më e madhe jeton në Gjermani”, shkruan Klan Kosova.tv.
“Ne jemi të lidhur shumë ngushtë me Kosovën në të gjitha fushat dhe këto vizita – sikurse edhe ajo e të Dërguarit të Posaçëm për Ballkanin Perëndimor rishtaz – ne thjeshtë duam që këto vende të afrohen më shume dhe nëse Kosova dhe Serbia mirëkuptohen, atëherë edhe vendet spektike brenda BE-së mund të binden për të çuar përpara çështjen e njohjes së Kosovës, apo çështjen e liberalizimit të vizave”, tha ai.