Vlogerët nuk do t’i shpëtojnë tatimit ndaj shtetit, për të ardhurat që i marrin produktet, të cilat i shpërndajnë në internet.

Qeveria po kërkon nga kjo kategori dhe krejt ata që fitojnë nga rrjetet sociale, t’i deklarojnë të ardhurat në Administratën Tatimore, dhe të paguajnë si tatim 10% të fitimit.

“Të ardhurat me burim nga jashtë si ajo free lancer, edhe këta janë të obliguar të deklarojnë të ardhurat e tyre dhe të paguajnë tatim në 10% të vlerës.
Të ardhurat nga Youtube e rrjete sociale po ashtu duhet të shënohen në këtë deklaratë të të ardhurave personale”, deklaroi Murati në konferencën e së hënës.
Thirrja vlen edhe për qiradhënësit dhe tregtarët e kriptovalutave.
“Ngjashëm llogaritet edhe në rastet kur këmbehet tokat, që po ashtu fitimi kapital duhet të deklarohet. Shitja e letrave me vlerë e kriptovalutave po ashtu konsiderohet fitim kapital, fitimi duhet të deklarohet”, ka thënë ministri Murati.
Për fitimet që nuk ‘tatimohen’, është krijuar një formular për të ardhurat personale në ATK. Kjo e fundit njoftoi se afati i fundit për plotësim të tij është 31 maji. Kurse tha se ikja nga ky obligim ka pasoja ligjore, shkruan Klan Kosova.
Qeveria nuk ka treguar nëse është duke u angazhuar të hiqen barrierat që ka Kosova nga rrjetet sociale. Për shkak të kësaj, shumë kosovarë që fitojnë nga to, llogaritë i kanë të regjistruara jashtë vendit.




















