Këshilli Shtetëror i Cilësisë i Agjencisë së Kosovës për Akreditim, ka përfunduar më 23.05.2022 mbledhjen e 99-të, e cila kishte filluar 13.05.2022, në të cilën janë shqyrtuar dhe është vendosur për raportet e ekspertëve ndërkombëtarë të akreditimit në nivel institucional dhe të disa programeve akademike.
“Me pjesëmarrjen e të gjithë anëtarëve, KSHC ka shqyrtuar të gjitha kërkesat dhe ankesat e institucioneve të arsimit të lartë.
Në mbledhjen e sotme KSHC ka vendosur që standardi i “stafit akademik” dhe ai i “infrastrukturës” të jetë obligativ për tu akredituar një institucion i arsimit të lartë ose një program akademik, duke filluar nga 1 tetori 2022”, është thënë në komunikatën për media, shkruan Ekonomia Online.
“Këshilli Shtetëror i Cilësisë ka vendosur që të organizojë një mbledhje të veçantë ku do të diskutohen të gjitha propozimet e marra nga diskutimi publik për dokumentin “ERASMUS Subject Area Codes”. Këshilli ka diskutuar edhe për avancimin e metodologjisë për thirrjen për ekspertë ndërkombëtarë të akreditimit”.