Anëtari i Parisë Demokratike të Kosovës, Blerand Stavileci në konferencën për media në ditën e hënë ka thënë se keq menaxhimi i qeverisë po vazhdon dhe sipas tij me vetëdije të plotë qeveria ka shtyrë vendin në kriza të reja, raporton InLajmi.
“Keq menaxhimi i qeverisë po vazhdon. Nga dështimi në parandalimin e futjes së vendit nëpër kriza të njëpasnjëshme kjo qeveri me vetëdije të plotë dhe në mungesë të vizionit po rrëshqet në kriza të reja me fajin e vet, për shkak të injorancës dhe arrogancës së vet, e fatkeqësisht, pandershëm, në llogari të qytetarëve të pafajshëm. Fitorja e qytetarëve të vendit tonë në realizimin e 2 të drejtave elementare të tyre, atë të sigurisë së furnizimit dhe atë të përballueshmerisë së çmimeve, e cila u realizua me vendimin e gjykatave për mos-shtrenjtimin e rrymës, sot po rrezikohet pikërisht nga pushteti i cili ua shtrenjtoj rrymën në mënyrë të padrejtë, të paarsyeshme dhe të kundërligjshme.”, ka thënë Stavileci.
Stavileci ka thënë se moszbatimi i vendimit të Gjykatës Themelore dhe të asaj të Apelit ndaj tarifave të energjisë është situatë tepër shqetësuese.
“Është tepër shqetësuese që kjo qeveri dhe ky pushtet po përpiqen t’i ikin zbatimit të plotë të vendimit të Gjykatës Themelore dhe Gjykatës së Apelit për pezullim të vendimit të kundërligjshëm të Zyrës së Rregullatorit të Energjisë për shtrenjtimin e çmimit të energjisë mbi 100 % për 450 mijë familje kosovare.”, ka thënë Stavileci.
“Pësëri, me konstruktivitetin më të lartë të mundshëm, kërkojmë që të zbatohet vendimi, që të kthehet ligjshmëria dhe të mos inskenohen situata të paqena krize duke paralajmëruar reduktime, që nga fillimi i kësaj krize kur kemi paralajmëruar dhe rekomanduar qeverinë e deri më sot kur përsëri po e paralajmërojmë, i bëjmë thirrje që ta menaxhojë situatën, duke garantuar 2 gjërat themelore për qytetarët: Sigurinë e furnizimit dhe çmimet e përballueshme, dhe jo duke inskenuar e prodhuar kriza të reja.” shtoi ai.
Tutje Stavileci i ka bërë thirrje qeverisë qe të menaxhojë situatën e krijuar rreth tarifave të energjisë dhe të garantojë sigurinë e furnizimit të energjisë për qytetarët dhe çmime të përballueshme./InLajmi/