Ministrja e Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla iu ka drejtuar qytetarëve duke iu thënë se aplikimi i Kosovës në Këshillin e Evropës ka qenë vetëm hapi i parë formal gjatë këtij procesi që sipas saj do të jetë i gjatë dhe me plot sfida, përcjell InLajmi.
Tutje Gërvalla ka njoftuar se në mbledhjen vjetore të Këshillit Ministror, në të cilin kanë marrë pjesë ministra apo zëvendësministra dhe sekretarë shteti të 46 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës, sipas ministres gjatë këtij takimi, edhe pse Kosova nuk ka qenë fare në rend të ditës, gjatë mbledhjes së sotme kërkesa e saj për anëtarësim ka qenë temë shumë prezente.
Gërvalla ka theksuar se Republika e Kosovës, e ka dëshmuar veten si lidere të demokracisë në Ballkanin Perëndimor.
Postimi i plotë, i saj:
Të nderuar zonja dhe zotërinj,
më 12 maj, pra para më pak se 10 ditësh, në emër të Republikës së Kosovës kam dorëzuar kërkesën për anëtarësim në Këshillin e Evropës. Siç e kam theksuar edhe atë ditë, ky është vetëm hapi i parë formal në një proces të gjatë dhe plot sfida. Këtij hapi të rëndësishëm dhe të domosdoshëm i kanë paraprirë me dhjetëra biseda parapërgatitore të MPJD-së, të Presidentes, Kryeministrit dhe përfaqësuesve të institucioneve të tjera të Republikës me partnerë dhe aleatë ndërkombëtarë. Po ashtu edhe Kuvendi i Kosovës, Kryetari dhe deputetët e tij, kanë zhvilluar biseda të shumta me deputetë dhe delegacione të ndryshme parlamentare të vendeve anëtare të Këshillit të Evropës. Rezultat i këtij koordinimi dhe këtyre bisedave dhe i situatës së veçantë gjeopolitike të krijuar në Evropë ka qenë edhe dorëzimi i kërkesës më 12 maj.
Anëtarësimi është një proces kompleks, i cili përfshin hapa të ndryshëm politik dhe procedural.
Sot është mbajtur në Torino të Italisë mbledhja vjetore e Këshillit Ministror, në të cilin kanë marrë pjesë ministra apo zëvendësministra dhe sekretarë shteti të 46 shteteve anëtare të Këshillit të Evropës. Gjatë këtij takimi, Italia kryesimin e KiE-së ia ka dorëzuar Irlandës.
Edhe pse Kosova nuk ka qenë fare në rend të ditës, gjatë mbledhjes së sotme Kosova dhe kërkesa e saj për anëtarësim ka qenë temë shumë prezente. Shumë përfaqësues të shteteve të pranishme kanë shprehur mbështetjen e tyre për kërkesën e Republikës së Kosovës për anëtarësim në KiE. Mbështetja ka ardhur sot nga shtete të mëdha dhe të vogla, me peshë shumë të madhe dhe të tilla me peshë më të vogël gjeostrategjike për kontinentin tonë. Askush përveç Serbisë nuk është deklaruar sot kundër anëtarësimit të Kosovës në këtë mekanizëm të rëndësishëm evropian.
Mbledhja e sotme e Këshillit Ministror është një hap shumë i madh pozitiv për Kosovën në rrugën drejt anëtarësimit të saj të plotë në KiE.
Hapa të tjerë politik dhe procedural do të vijojnë deri sa të kërkohet opinioni i Asamblesë Parlamentare të KiE (PACE). Asambleja Parlamentare, pasi të kemi përmbushur kriteret, i rekomandon Këshillit Ministror që Kosovën ta ftojë të bëhet anëtare e plotë e Këshillit të Evropës.
Askush nuk duhet të ketë iluzion që e gjithë kjo procedurë do të jetë e lehtë dhe që do të mund të arrihet pa punuar me përkushtim dhe seriozitet në secilën prej etapave të domosdoshme.
Republika e Kosovës, e cila e ka dëshmuar veten si lidere të demokracisë në Ballkanin Perëndimor, është e etur, e gatshme dhe e përgatitur për t’i dalë në krye kësaj rruge të nisur. Takimi i sotëm i Këshillit Ministror ka dëshmuar fuqishëm që Kosova është edhe e mirëseardhur në gjirin e shteteve anëtare të KiE.
Hapi i parë i domosdoshëm, dorëzimi i kërkesës për anëtarësim, është bërë. Të tjerët do të vijojnë dhe Republika e Kosovës do të jetë anëtarja e 47-të e Këshillit të Evropës.
Torino, Itali, më 20 maj 2022./InLajmi/