Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti u prit në takim nga Senatorja Joni Ernst, në Washington DC, ai falënderoi senatoren Ernst, veçanërisht për përkrahjen e Gardës Kombëtare të Iowas për ngritjen e kapaciteteve dhe zhvillimin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, përcjell InLajmi.
Kryeministri theksoi se mbështetja e tillë është bërë edhe më e domosdoshme pas invazionit ilegal të Rusisë dhe aleancës ushtarake midis Serbisë dhe Rusisë.
Në takim u bisedua për zgjerimin dhe thellimin e partneritetit strategjik ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, veçanërisht bashkëpunimin në fushën e mbrojtjes dhe fushat zhvillimore.
Kurti e njoftoi senatoren për fillimin e reformës në drejtësi dhe ngritjen e theksuar të buxhetit për mbrojtje, rritjen e mbështetjes për bujqësi, rritjen e pensioneve për 11% dhe pensioneve për persona me aftësi të kufizuara për 33%, arsimimin publik falas përfshirë nivelin universitar.
Në përmbyllje të takimit, senatorja Ernst shprehu vlerësimin e saj për kryeministrin Kurti dhe tha që dera e saj është gjithmonë e hapur për të./InLajmi/




















