Udhëheqësit e Finlandës kanë mbështetur aplikimin për t’u bërë pjesë e NATO-s ndërkohë që edhe Suedia mund të bëjë të njëjtën gjë brenda disa ditësh, dy muaj e gjysmë pas nisjes së pushtimit rus të Ukrainës, veprim ky që përçoi mesazhe frike tek fqinjët e Moskës.
Pas qëndrimit të Finlandës, Kremlini reagoi duke paralajmëruar se do të detyrohet të ndërmarrë hapa hakmarrëse “ushtarako-teknike”.
Ndërkohë, në terren, forcat ruse goditën zonat në lindje të Ukrainës, duke përfshirë pjesën e fundit të rezistencës në Mariupol, si pjesë e ofensivës për të marrë rajonin jetik industrial të Donbasit, derisa Ukraina rimori disa qytete dhe fshatra në verilindje të vendit.
Finlanda duhet të aplikojë për anëtarësim në NATO “pa vonesa”
Presidenti dhe kryeministri i Finlandës njoftuan se shteti i tyre duhet të aplikojë menjëherë për anëtarësim në NATO, paktin e mbrojtjes ushtarake i themeluar pjesërisht për të kundërshtuar Bashkimin Sovjetik.

“Ju (Rusia) e shkaktuat këtë. Shikoni në pasqyrë”, tha këtë javë presidenti finlandez, Sauli Niinisto.
Parlamenti i Finlandës duhet të vendosë për këtë çështje por njoftimi për gatishmërinë për aplikim do të thotë se Finlanda është e sigurt se do të aplikojë – dhe do të pranohet – megjithëse procesi mund të marrë muaj për të përfunduar. Suedia, gjithashtu, po shqyrton aplikimin, shkruan REL.
Kjo do të përfaqësonte një ndryshim të madh në peizazhin e sigurisë së Evropës: Suedia i ka shmangur aleancat ushtarake për më shumë se 200 vjet, ndërsa Finlanda miratoi neutralitetin pas disfatës së saj nga sovjetikët në Luftën e Dytë Botërore.