Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog ka deklaruar se e ardhmja e Kosovës është në BE dhe se nuk ka alternativë tjetër përveç vazhdimit të ecjes përpara në rrugën e saj evropiane.
Në Ditën e Evropës, duke shënuar edhe përvjetorin e “Deklaratës Schuman” që krijoi themelet për paqen e qëndrueshme midis kombeve evropiane, ambasadori Szunyog vuri në dukje se BE-ja nuk do të jetë e plotë pa Ballkanin Perëndimor dhe se agresioni rus kundër Ukrainës, i ka bërë edhe më të rëndësishme përpjekjet e përbashkëta për integrimin evropian të rajonit.
“Jam krenar për progresin që ka arritur Kosova me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe shteteve tona anëtare. Pavarësisht nga çdo sfidë, solidariteti i BE-së nuk do të zvogëlohet kurrë dhe BE-ja do të vazhdojë të jetë partneri më i afërt me Kosovën, siç është tani”, tha Szunyog.
Shefi i zyrës së BE-së në Kosovë edhe një herë bëri thirrje për angazhimin e vazhdueshëm të Kosovës për të përparuar në rrugën e saj evropiane.
Ai ka thënë se sundimi i ligjit është themeli i një shoqërie të shëndetshme demokratike dhe kjo duhet të mbetet prioritet për institucionet e Kosovës së bashku me mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të njeriut, shkruan lajmi.net.
Meqenëse viti 2022 është Viti Evropian i Rinisë, shumica e aktiviteteve të organizuara nga BE-ja në Kosovë për të festuar Ditën e Evropës kanë në shënjestër të rinjtë dhe fokusohen në energjinë e gjelbër, mjedisin dhe digjitalizimin.